DURRES, 26 mars 2013 – Reshjet e ditëve të fundit, kanë rikthyer rrëshqitjen e dherave  nga Kodër Vila.

Masivet e dheut të rëna përgjatë rrugës që të çon drejt Currilave kanë shkaktuar mjaft probleme për banorët e zonës.

Tre banesa, por edhe biznese të ndryshme rrezikojnë seriozisht të mbulohen tërësisht nga masivi i dheut që shkëputet nga kodra çdo ditë.

Përballë kësaj situate, prefekti i durrësit Genci Alizoti kërkon ndërhyrjen e Bashkisë së qytetit, si dhe institucioneve përkatëse.  

Si pasojë e rrëshqitjes së dherave, aksi rrugor që lidh shëtitoren Taulantja me zonën e Currilave është bllokuar plotësisht në njërin kah, duke u bërë i pakalueshëm për automjetet.

Dhe pse sipërfaqja e kodrës nga e cila rrëshqasin masive të shumta dherat sa vjen e zgjerohet, Alizoti sqaron se nuk do të ndërhyhet në këtë aks deri në përmirësimin e kushteve atmosferike, pasi tendenca për të rreshkitur mbetet prezent.

Gjatë 15 viteve të fundit kodra ka humbur më shumë se 80 përqind të kurorës së gjelbërt të saj, pasi pylli i pishave është prerë për t’i hapur rrugë ndërtimeve shumëkatëshe.

Si të mos mjaftonte kjo faqja jugore ka humbur shumë terren me shkëputjet e qindra m3 dhe e baltë.

Ndonëse situata është mjaft e vështirë asnjë nga institucionet vendore dhe qëndrore si prefektura, Këshilli i Qarkut dhe Bashkia nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim konkret, pasi sistemimi i këtij problemi kërkon projekte të detajuara dhe investime të mëdha.

/m.l. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/