TIRANE, 26 mars 2013– Rezultati që ka prodhuar ndeshja Tirana-Flamurtari 3-6 pak ditë më parë duket i pabesueshëm të jetë i vërtetë, për më tepër që takimi udhëhiqej në pjesën e parë nga Tirana 3-1 dhe në pjesën e dytë vlonjatët shënojnë 5 gola e bardheblutë asnjë gol. Diçka ndodh dhe kjo bëhet në sytë e mijëra spektatorëve, të cilët nuk u besojnë syve. Por kjo ndeshje dhe mund të justifikohet, por të tjera ku rezultati është manipuluar hapur nuk mund të mbulohen. UEFA i ka sjellë raportet e saj të përvitshme dhe pritet të sjellë të tjera në javët në vijim, ku ndeshjet e kampionatit tonë shihen të korruptuara, e thënë ndryshe të trukuara. Investigimet serioze mungojnë dhe natyrisht do të jetë e vështirë të nxirren përgjegjësit, por ajo që është e dhimbshme për futbollin tonë lidhet me faktin e manipulimi i ndeshjeve apo përfolja e tyre si të fiksuara, ka larguar në masë tifozët nga shkallët e stadiumit. Nuk ka më besim te kampionati ynë. Këtë gjë thonë dhe figurat e njohura të futbollit tonë. Në një të përditshme sportive Vasil Ruci i Vlorës deklaronte se në kampionat vetëm katër ekipe luajnë ndershëm, duke thënë se Bylisi e Laçi manipulojnë ndeshjet e tyre. Por nuk është i vetmi, pasi kritikët janë shtuar në numër kohët e fundit.
Në intervistën që “SOT” ka pasur me ish-futbollistin e mirënjohur vlonjat të Flamurtarit dhe të Kombëtares, Sokol Kushta, kemi mësuar se ai nuk u beson më ndeshjeve që luhen dhe për sa kohë raportet e UEFA-s kanë mbërritur, agjencitë e huaja e radhitin kampionatin tonë ndër më të korruptuarit në botë etj, nuk bëhet fjalë për futboll të pastër. “E si mund të sigurohem unë që kur të shkoj në stadium ndeshja nuk është e fiksuar që më parë? Kampionati ynë ka degraduar i tëri, pasi ka manipulime ndeshjesh. Federata nuk është në gjendje ta kontrollojë këtë. Futbolli është i bukur kur luhet ndershëm, madje dhe kur humb ekipi i zemrës, por unë nuk kam besim më te gara”, shprehej Kushta. Ka pasur dhe figura të tjera të njohura të futbollit tonë që kanë ngritur këtë shqetësim në shkallën më të lartë, pasi trukimet e ndeshjeve po bëhen një fenomen vërtet i tmerrshëm për fatet e futbollit shqiptar. Presidentët e klubeve në bashkëpunim shpesh dhe me lojtarët i fiksojnë ndeshjet, por federata nuk ka qëndruar jashtë zonës së kritikëve, ku shpesh cilësohet edhe nga tifozët në stadium si bashkëpunëtore në trukimin e ndeshjeve.
Frika e manipulimit të ndeshjeve është bërë tashmë prezente në të gjithë mjedisin futbolldashës, sidomos aty ku merren vendimet për menaxhimin e tij. Deri më tani nuk kemi ndonjë rast të përfshirjes së gjyqtarëve në këtë “komplot” dhe “favorizim” siç ka vënë në dukje Komisioni i Etikës në Federatën Shqiptare të Futbollit, por kemi të bëjmë me një fenomen të rrezikshëm të kurdisjes së rezultatit nga palë të interesuara. Vllaznia e Tirana janë në hetim prej dy vitesh nga një gjykatë në Gjermani, pasi mendohet e kanë trukuar ndeshjet e tyre në Europë respektivisht ndaj Rapidit të Vjenës e Stabaekut norvegjez. Por problematike për futbollin tonë mbetet trukimi i ndeshjeve në kampionat. Besohet sipas agjencive ndërkombëtare se janë trukuar 96 ndeshje në tri vitet e fundit dhe kjo është një shifër e frikshme. Jo më kot ikonat e futbollit tonë janë skeptikë për përmirësimin e shpejtë të gjendjes. Thuajse të gjithë palët bien dakord për ndërhyrjen e prokurorisë që të mundësojnë një hetim të gjerë të fenomenit, pasi, në të kundërt, futbolli i Superligës dhe i të gjitha nivele të futbollit në Shqipëri do të degradojë dhe më keq. Pasojat i dimë të gjithë: rezultate fiktive, dhunë, braktisje të stadiumeve, largimin e të rinjve nga sporti dhe imazh i keq i sportit shqiptar në botë.
Adriatik BALLA





