KURBIN, 26 mars 2013- Dhunoi përgjatë gjithë natës gruan në sy të fëmijëve, duke e lënë të plagosur rëndë, arrestohet pas një jave. Policia e Kurbinit bëri të ditur se prangosi Martin Çupin, në fshatin Skuraj të këtij rrethi, pasi ai ishte shpallur në kërkim. 34-vjeçari, baba i dy fëmijëve të mitur, banues në Lagjen Nr. 5 në Laç, akuzohet për dhunë në familje, pasi më 13 mars 2013 rrahu barbarisht bashkëshorten e tij, Etmonda Çupi, 32 vjeçe, duke i shkaktuar hematoma dhe plagë të rënda në trup. Bashkëshortja e tij ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin Ushtarak në Tiranë. 

Pas arrestimit, Çupi është shprehur i penduar për dhunën e ushtruar ndaj bashkëshortes së tij, duke pohuar se kishte qenë i dehur dhe se nuk mbante mend se çfarë kishte ndodhur. Sipas deklaratës së dhënë në Polici, ai kishte konsumuar alkool pas akuzave që i kishte bërë xhaxhai i së shoqes për vjedhjen e një dhie. Në shkurt të vitit të kaluar ai është dënuar për të njëjtën akuzë nga Gjykata e Kurbinit me 100 mijë lekë. 

Dy ditë më parë, bashkëshortja e tij u shpreh për gazetën Panorama nga Spitali Ushtarak se nuk do ta falte më të shoqin, i cili e kishte dhunuar barbarisht për gjithë natën në sy të fëmijëve dhe nënës së tij. Ajo rrëfeu ngjarjen, ndërsa i kërkoi policisë arrestimin e të shoqit. 
 

“Isha në shtëpi me dy djemtë dhe vjehrrën. Martini erdhi në shtëpi rreth orës 18:00. Ishte i pirë dhe nisi të më qëllonte në sy të fëmijëve dhe nënës së tij. Më dhunoi gjatë të gjithë natës. Nuk është hera e parë që më rreh. E gjitha kjo ka ndodhur për shkak të pijes dhe stresit që ka nga papunësia. Më ka shkulur flokët dhe gjatë gjithë natës më qëllonte me shkelma dhe grushte”, tregon 32-vjeçarja. Ajo ndodhet në Spitalin Ushtarak dhe sipas mjekëve, gjendja e saj është mjaft e rëndë. Sipas Etmondës, i shoqi dhunonte edhe fëmijët.