EGJIPT 25 mars 2013 – Një grup turistësh rusë kanë mundur të shkrepin foto nga maja e njërës prej 7 mrekullive të botës antike.
Megjithëse në piramidën e Gizës nuk lejohet të hipë askush, turistët rusë kanë mundur të evitojnë rojet, dhe gjatë natës janë ngjitur deri në majën e piramidës antike për të shkrepur foto të papara të shkretëtirës që rrethon këtë kryevepër arkitekturore të njerëzimit.
Fotografi Vitaliy Raskalov ka shkrepur foto të marra nga një lartësi prej 138 metrash, aq sa është dhe lartësia e majës së piramidës nga toka.
Piramida e Gizës, e njohur ndryshe edhe si piramida e Keopsit (faraoni për të cilin ajo u ndërtua), është mrekullia më e vjetër e botës antikes mes 7 veprave më të mëdha infrastrukturore të ndërtuara në ato vite të largëta. Ajo mendohet se është ndërtuar rreth viteve 2560 para erës sonë. Në kohën kur u ndërtua ajo ishte më shumë se 140 metra e lartë dhe ka kryesuar listën e ndërtesave më të larta në botë për jo pak, por 3800 vjet.
Përbehet nga 2 500 000 blloqe me masë prej 2 – 5 tona secila. Kështu masa e piramidës i afrohet 6 000 000 tonelatave. Blloqet formojnë 203 shkallë me lartësi mesatare prej 1 metër.
Piramida e Keopsit është quajtur nga shkencëtarët "Libër shkencor i shkruajtur në gurë"
/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/





