DURRES, 25 mars 2013 – Kombëtarja u ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve në kuadër të ndeshjes miqësore që do të zhvillojë nesër ndaj Lituanisë në stadiumin "Qemal Stafa". Nën drejtimin e teknikut Xhani De Biasi kuqezinjtë do të provojnë të vijojnë ecurinë e rezultateve pozitive të regjistruara ndeshjet e fundit. Në kampin kuqezi mbizotëron një atmosferë pozitive, ndërsa të gjithë janë përqëndruar te sfida.

Debatik Curri, mbrojtësi i kuqezinjve e ka konsideruar një ndeshje shumë të rëndësishme për kombëtaren tonë takimin ndaj lituanezëve. “Është një ndeshje mjaft e vlefshme, pasi do të ndërtojmë një skuadër tjetër për ndeshjen e kthimit me Norvegjinë. Në bazë të mungesave që do të kemi në atë ndeshje trajneri do të ketë mundësi që në këtë ndeshje të ndërtojë skuadrën me të cilën do të presë vikingët”,- tha Curri.  

Lorik Cana, kapiteni i ekipit, pak orë përpara kësaj ndeshje bëri thirrje për përqëndrim dhe ftoi shokët e tij që të japin maksimumin në fushë. “Skuadra duhet të qëndrojë me moral të lartë, prandaj pavarësisht se është një ndeshje miqësore ne do të përpiqemi për ta fituar. Duke fituar këtë ndeshje, norvegjezët në qershor i presim me moralin e lartë dhe të sigurt në vetvete”,- deklaroi Cana.

Endrit Berisha, heroi i ndeshjes me Norvegjinë, u shpreh i sigurt se skuadra e tij do të fitojë edhe ndaj Lituanisë. “Kemi një skuadër kompakte dhe mjaft të disiplinuar, e cila në Oslo tregoi se mund të përballet pa frikë me çdo kundërshtar. Nesër ndaj Lituanisë do të futemi në fushë vetëm me qëllimin për ta fituar këtë miqësore. Jemi gati për të shkatërruar çdo kundërshtar. Tani e tutje çdo skuadër kur të ndeshet me ne duhet t’i bëjë llogaritë mirë, sepse përpara do të gjejë një superskuadër”,- tha Berisha.

Edgar Cani, sulmues, përveçse është i sigurt për suksesin e skuadrës kombëtare në këtë miqësore lëshon sinjale shprese për një kualifikim në botërorin Brazil 2014. “Patjetër që jam gati dhe do të jem gjithnjë kur më kërkohet për të luajtur për vendin tim. Ndeshjet e fundit nuk kam luajtur rregullisht, por gjithsesi po përpiqem të jem në formë. Kemi shanse reale për të shkuar në botërorin e Brazilit, prandaj le të shfrytëzojmë këtë miqësore për t’u përmirësuar sa më shumë. Përpara kemi një rrugë tejet të gjatë dhe mjaft të vështirë, prandaj duhet t’i hedhim hapat një e nga një. Duhet t’i largohemi sa më shumë të mundemi euforisë, sepse ajo është armiku kryesor dhe mund të na prishë punë. Të gjithë kemi besim tek kualifikimi dhe do të bëjmë maksimumin për ta arritur këtë”,- e mbylli Cani deklaratën e tij.