TIRANE, 25 mars 2013 – Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ka reaguar pas arrestimit të babait të deputetit të Partisë Socialiste, Saimir Tahiri. Që në fillim të deklaratës së tij, Rama thekson se asnjë shtetas i Republikës së Shqipërisë nuk është mbi ligjin, ndaj dhe zoti Bashkim Tahiri duhet të hetohet deri në fund dhe të gjykohet deri në fund, në mënyrë të drejtë e të pavarur, për akuzën që ka ngritur policia.
“Fakti që bëhet fjalë për të atin e deputetit Saimir Tahiri, sigurisht nuk e bën të akuzuarin vetvetiu më të pafajshëm. Por, pa asnjë dyshim i bën akuzuesit vetvetiu më të dyshuar! Sepse dihet botërisht që nuk është goditja e parë e shtetit ndaj familjes së Saimir Tahirit apo ndaj vetë deputetit socialist, i cili është i mirënjohur nga opinioni publik për kurajën dhe këmbënguljen me të cilën ka denoncuar në vijimësi korrupsionin qeveritar, krimin e organizuar, si edhe vetë Kupolën drejtuese të Policisë.”- vijon deklarata e Ramës.
Rama hedh dyshime se ky ndalim, i cili sipas tij është orkestruar mediatikisht në kohë reale dhe me një bujë të pazakontë, mund të jetë hakmarrje politike e babait kryeministër, pas akuzave që deputeti Saimir Tahiri ka bërë publikisht në adresë të fëmijëve të Berishës.
“Ciladoqoftë e vërteta që qëndron pas ndalimit nga policia të babait të Saimir Tahirit, kryesocialisti Edi Rama shpreh të gjithë solidaritetin njerëzor, por edhe bindjen e plotë për integritetin moral e politik të deputetit socialist. Saimir Tahiri është njëri prej pjesëtarëve më aktivë të skuadrës sonë kombëtare për një Rilindje Shqiptare dhe kjo ngjarje as nuk e cënon as nuk e kushtëzon konsideratën e lartë për të.”- përfundon deklarata e PS-së.





