TIRANË, 25 mars 2013 – Kryeministri Sali Berisha priti sot në një takim Drejtorin e Përgjithshëm për Bashkëpunimin Europian në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, Robert de Groot.
Kryeministri Berisha e falenderoi Robert de Groot për mbështetjen që Mbretëria e Vendeve të Ulëta i ka dhënë Shqipërisë në vijimësi gjatë kësaj periudhe, si në aspektin dypalësh, ashtu dhe në kuadrin shumëpalësh, nw veçanti në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Drejtori i Përgjithshëm për Bashkëpunimin Europian, Robert de Groot e risiguroi kryeministrin Berisha se Mbretëria e Vendeve të Ulëta do të vijojë të mbështesë Shqipërinë, si në kuadër të projekteve dypalëshe, ashtu edhe në përpjekjet e qeverisë shqiptare për të ecur me shpejtësi drejt anëtarësimit në BE.
“Qeveria holandeze ju dërgon përshëndetjet më të ngrohta dhe është plotësisht mbështetëse e ambicieve tuaja për integrimin e Shqipërisë sa më shpejt në BE”,- theksoi Robert de Groot.
Kryeministri Berisha i theksoi Robert de Groot se qeveria shqiptare mbetet e vendosur të bëjë çdo përpjekje për të realizuar sa më parë këtë projekt madhor kombëtar, integrimin në BE, si e ardhmja më e mirë dhe mw e sigurt për Shqipërinë dhe qytetarët e saj.
Duke u ndalur në zgjedhjet e ardhshme parlamentare kryeministri Berisha e njohu zotin Robert de Groot me arritjet e rëndësishme për sa i përket përmirësimit dhe përditësimit të kuadrit ligjor zgjedhor, ku janë adresuar të gjithë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe amendimet e reja bazuar tërësisht në propozimet e opozitës.
Duke theksuar rëndësinë e pranimit të rezultatit të zgjedhjeve Kryeministri Berisha nënvizoi se elementi thelbësor i çdo politikani është dhe mbetet pranimi i verdiktit të qytetarëve, duke pranuar rezultatin e zgjedhjeve demokratike.
Robert de Groot e siguroi Kryeministrin Berisha se Holanda do të dërgojë vëzhgues në kuadër të bashkëpunimit me OSBE-në dhe i uroi atij suksese në zgjedhjet e 23 qershorit.





