MOSKE, 25 mars 2013 – I ftohtë rekord në Moskë për shkak të kalimit të një cikloni. Që nga mbrëmja e së shtunës kryeqyteti rus është nën pushtetin e një stuhie të fuqishme që ka mbuluar Moskën me një shtresë dëbore prej 30 cm, e barabartë kjo me sasinë mesatare të muajit, raporton ANSA.

Rreth 20 avionë kanë pasur vështirësi të ulen në aeroportet e Sheremetevo dhe Vnukovo-s.

Mënëgjesin e sotëm situata është përmirësuar disi, por nga pasditja kryeqyteti rus është goditur sërish nga një stuhi, që parashikohet të sjellë në qytet edhe 12 cm të tjerë dëborë.

Deri tani mesatarja e reshjeve të dëborës të rëna në muajin mars (60 cm) është sa dyfishi i regjistruar vitet e kaluara.

Anormale janë edhe temperaturat mesatare të regjistruara në këtë muaj (-8 gradë). Muaji mars ka rezultuar të jetë më i ftohtë edhe se shkurti. Një situatë e tillë është verifikuar vetëm 4 herë që nga viti 1891, kur nisën për herë të parë të regjistroheshin të dhënat metereologjike. Sipas sinoptikanëve, një i ftohtë i tillë kishte 50 vjet që nuk “shihej” në kryeqytetin rus.

/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/