TIRANE, 25 mars 2013 – Tejkalim të problemeve dhe zënkave politike, angazhim për zgjedhje të lira dhe respektim të rezultatit të tyre. Me këto mesazhe i janë drejtuar klasës politike shqiptare, kryetari i Parlamentit Europian për Ballkanin, Eduard Kukan dhe eurokomisioneri për Zgjerim, Stefan Fyle gjatë fjalës së mbajtur në konferencën e sotme në Tiranë, “Just BE”.

Sipas Fyles, klasa politike duhet të kontribuojë në mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Duke përsëritur angazhimin e KE për të ndihmuar vendin tonë dhe aspiratat e tij në rrugën e integrimit, Fyle ka kërkuar fuqizim të këtij angazhimi dhe rezultate konkrete në të.

“Ky angazhim me shqiptarët jo vetëm që duhet të vazhdojë, por duhet të fuqizohet më tej, pavarësisht faktit se klasa politike është përqëndruar te zgjedhjet e ardhshme. Partitë po mbajnë Europën si prioritet, por nuk duhet të lihen jashtë edhe çështje të tjera të rëndësishme” tha ai.

Ndërkohë nga ana e tij, Eduard Kukan, kryetari i Parlamentit Europian për Ballkanin, kërkoi sot në Tiranë që “zënkat politike dhe partiake të mos e ndërpresin procesin e integrimit të Shqipërisë”.

“Bëjeni parlamentin një vend ku debatet politike të diskutohen, ku qeveria të shpjegojë vendimet, ku qytetarët të kenë mundësi të shikojnë jetën politike të vendit. Duhet të ndërtoni një vend me institucione të forta demokratike dhe funksionale. Ne i njohim politikanët dhe e dimë që ata kanë mundësi të ecin përpara, por këto përpjekje duhet të kenë rrënjët e tyre në një bazë demokratike dhe efikase. Për këtë ka nevojë Shqipëria dhe kjo kërkohet, ne besojmë se duke rritur përpjekjet në këto fusha do të bindim qeveritë evropiane për vlerat tuaja demokratike, shpresoj që shpirti i bashkëpunimit do të sundojnë, nëse jo përpara, pas zgjedhjeve”- ka thënë Kukan.

Kukan duke dhënë shembullin e vendit të tij dhe përpjekjeve të bëra për integrimin ka thënë se shpresat e mëdha janë edhe për Shqipërinë, duke këshilluar të kapet shansi që jepet.

/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/