KRUJE, 24 mars 2013 – Prangoset një person i shpallur në kërkim për vjedhje, plagosje dhe armëmbajtje pa leje.

Policia e Krujës njofton se ka ndaluar paraditen e sotme shtetasin Ylli Jahja, i njohur edhe me emrin Niko, 41 vjeç, banues në Laç.

Sipas policisë, 41 vjeçari ishte shpallur në kërkim, sepse në datë 31 janar të këtij viti, gjykata e Kurbinit ka dhënë për të masën e sigurisë arrest me burg në mungeë për 3 vepra penale: “vjedhje me armë”, “plagosje të rëndë me dashje” dhe “mbajtje pa leje të armëve të zjarrit”.

Mësohet se shtetasi në fjalë, gjatë një grabitjeje me armë, të realizuar në zonën e Laçit, ka plagosur rojen e objektit. Jahja u ndalua në qytetin e Fushë Krujës, ndërsa ishte strehuar në shtëpinë e një shtetaseje.

Po sot policia e Krujës ka prangosur 26 vjeçarin Alfred Tuçi, nga Kruja, i cili akuzohet se ka plagosur me mjete të forta shtetasin M. Hocja. Grindja mes të dyve ka nisur për motive të dobëta, por debati verbal ka degjeneruar në konfrontim fizik.

/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/