TIRANË, 24 mars 2013 –Mitingu i 22 marsit 2013 ka shërbyer si motiv për të shfryrë dy “insider”, tifozët më të mëdhenj të shefit të shumicës sunduese. Pikërisht Skënder Buçpapa, i famshëm sidomos për akuzat që i kanë bërë RTSH-së së viteve para 1997-ës opozita dhe ndërkombëtarët, kur drejtor i përgjithshëm ishte ky poet e botues i njohur, si dhe bashkëpatriot i Kryeministrit. Por edhe më e habitshme është kundërvënia e një analisti, botuesi dhe biznesmeni arsimi universitar si Henri Çili.
Skënder Buçpapa: Flamujt blu me kuqëlim enverist
Skënder Buçpapa ka shkruar një pamflet të ashpër me titull “Të nesërmen e 22 Marsit të njëzetedytë”. Madje, duket sikur “flet” e majta kur Buçpapa shkruan se dita e 22 marsit 2013 “u shënua nga Sali Berisha dhe nga administrata e tij, të mbledhur në Sheshin “Nënë Tereza” të kryeqytetit të Shqipërisë”, ku “flamujt blu në duart e administratës së Sali Berishës rrezatonin më shumë se kurrë kuqëlim enverist. Prandaj emblema e bardhë PD, në mesin e flamujve, rrezatonte më shumë se kurrë drapër-e-çekanin e artë punist”.
Buçpapa arrin apogjeun e kritikës ndaj PD-së dhe Berishës me denoncimin se “22 marsi do të mund të ishte festë e gjithnjë e më shumë shqiptarëve. Mjerisht, siç e pamë dje, është festë e gjithnjë e më pak shqiptarëve”.
Arsyeja e këtij mllefi të Buçpapës lidhet me ata që i quan “protagonistët e 9 marsit 1997”, si Arben Imami, Neritan Ceka, Frrok Çupi, Ilir Meta etj: “Pas votës së 3 korrikut të vitit 2005, shqiptarët shikojnë me habitje se në pushtet janë restauruar pikërisht protagonistët e 9 marsit 1997. Ata që e larguan Partinë Demokratike nga dhjetoristët, nga antikomunistët, ata që u bashkuan me lobet më antishqiptare në botë për të mbytur në zjarr dhe në hekur Shqipërinë më 1997, ata që fabrikonin netëve sloganet me të cilët turmat tregishtërore do të sulmonin shtetin e Shqipërisë, ata që do të hipnin mbi tanke me grada helene, ata që do të shkonin në Beograd tek Sllobodan Millosheviçi, ata që himnizonin skemat piramidale, pikërisht eksponentët e klanit më të paudhë të PPSH, të privilegjuarit më të mëdhenj e të kënaqurit më të teptisur, janë sot këmbëkryq në kreun e administratës së Shqipërisë.
Të privilegjuarit më të mëdhenj e të kënaqurit më të teptisur të diktaturës janë sot më të pasurit e vendit. Janë bërë të pasur pa i shtuar pasuri të reja Shqipërisë. Edhe njëzet e sa vjet pas hapjes ndaj botës, buxhetet e Shqipërisë bëhen duke shitur hidrocentralet dhe pasuritë e tjera të krijuara gjatë diktaturës së Enver Hoxhës”.
Nga ana tjetër, nuk dihet nëse do të kenë pasoja Buçpapët e tjerë për shkak të këtij pamfleti të Skënderit.
Henri Çili: Vështirë të fitohet mandati i tretë
“Fushata e PD-së nuk po ngjit”, thotë Henri Çili në komentin me titull “Berisha, shija pa shije e “deja vu-së”, pa përjashtuar Selamin”. Për një nga strategët mediatikë më të aftë të PD-së, sikurse është Çili, “e vetmja e re e mitingut… në përkujtim të ditës historike të 22 marsit, ishte Eduard Selami. Gjithçka tjetër njësoj. Berisha me fjalimin e tij të rastit pa mundur të dalë dot në përmasën historike të ngjarjes së dikurshme dhe kontekstin e saj sot; Jozefina Topalli me patetizmin e saj sikur të qe një prej anëtareve të thjeshtë të PD-së; Bleona këngëtarja Demokrate; e njëjta rekuizitë, e njëjta vizuale si zgjedhjet e 2009 me parimin “up-ngjitje”, etj, etj, etj”.
Madje, në koment, ka një përshkallëzim ngjitës kritika e kolumnistit: “në publik mungon “gjetja”, arsyeja e madhe pse njerëzit duhet ta shqyrtojnë shumicën aktuale dhe Sali Berishën për një mandat të tretë”.
Për Çilin PD-ja dhe Berisha kanë “një program populist dhe elektoral me premtime ndaj të gjithëve, pa adresuar thellësisht problemet bazë që ka kjo fazë e zhvillimit të Shqipërisë, me krizat dhe avantazhet e afro dy dekadave transformim”, dhe se “me propozime kuturu, populiste apo gërryese të programit të opozitës, duket se është një rrezik i madh për shanset e Berishës për këtë mandat.
Shkurt, me një “deja vu” të tillë, me një fushatë të zakonshme, me një ekip të zakonshëm dhe një qeverisje të themi normale këto 4 vjet të fundit, si është e mundur të fitohet një “fushatë e jashtëzakonshme”, pra një mandat i tretë?”
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





