DURRES, 24 mars 2013- Kryeministri Berisha e ka cilësuar turizmin si potencialin më të madh të Shqipërisë në një takim që po zhvillon me biznesmenë të këtij sektori në Durrës. Ai u ndal të shpalosë para tyre planet e qeverisë për 4-vjecarin e ardhshëm. 

“Në katër vitet që vijnë, qeveria ka ndërmend të marrë përsipër hartimin e projekteve të mëdha turistike, për tua ofruar këto vendeve dhe kompanive që kanë mundësi financiare. Kjo do të jetë një praktikë të re. Në do të angazhohemi për të ndërtuar projekte e zhvillimit me kompanitë më të mëdha në botë.”- tha kryeministri. 

Ne kemi ndjekur një politikë fiskale tolerante për turizmin, tha Berisha. “Kjo është një politikë e qëllimshme sepse pjesa dërrmuese e turizmit dhe vizitorëve përballohet në kushte familjare. 

Më tej, kreu i qeverisë tha se në katër vitet që vijnë duhet të rankojmë të gjithë institucionet që presin turistë, si dhe vendosjen e një raporti të ri mes qeverisë dhe agjencive turistike të vendit. 

“Kemi dashur të shmangim korrupsionin në gradim, vlerësim, apo rankimin e hoteleve por sot ka ardhur koha që ta bëjmë. Sot ka ardhur koha e një rankimi të institucioneve që presin e trajtojnë turistë. 

Kryeministri theksoi se janë ndërtuar 504 km rrugë të destinacionit strikt vetëm turistik, ndërsa shtoi se janë në ndërtim 14 impiante të mëdha të përpunimit të ujrave të zeza, të cilat me inaugurimin e tyre, do bëjnë që ujrat e detit dhe liqenit të jenë më të pastërtat në rajon. Ai theksoi se ka një masterplan të bregdetit jonian dhe po punohet edhe për një plan për veriun e vendit.

"Do heqim cdo lloj takse për ata që investojnë në zonat malore", ishte një tjetër premtim i bërë nga kryeministri Berisha. Sipas tij asfaltimi i rrugëve që cojnë në destinacionet malore janë përparësi.