ITALI, 24 mars 2013- Fitorja e Shqipërisë në Oslon e largët bën bujë edhe në mediat italiane, të cilat thurin elozhe për punën e trajnerit Giani de Biassi, duke sjellë në vëmendje kurbën në ngritje të skuadrës kuqezi gjatë viteve të fundit. Sipas asaj që shkruhet në faqen e specializuar, tuttomercatoweb.com, deri në fillimin e viteve ’90, kombëtraja jonë ishte një nga më të dobëtat në Europë dhe zona play off dukej një ëndërr e largët, por tashmë, gjithçka është e mundur dhe Shqipëria është shumë pranë historisë edhe pse ka shumë rrugë për të bërë. Në vijim të shkrimit, faqja shton se do të jetë shumë e vështirë që kuqezinjtë të vazhdojnë këtë rrugë, por shton se me kontributin e një trajneri italian, kjo përrallë mund të transformohet në një realitet të prekshëm në fund të eliminatoreve.
“Fitorja e Oslos kundër Norvegjisë e projektoi Shqipërinë drejt vendit të dytë në grupin e saj ku kryeson Zvicra, kjo e fundit, si për ironi të fatit i ka themelet te lojtarët e lindur nga emigrantët shqiptarë të viteve 90. Shqipëria është ajo origjinale dhe të paktën për momentin gjendet vetëm 2 pikë larg, ndërsa lë pas Norvegjinë, Slloveninë dhe Qipron”, shkruan ndër të tjera tuttomercatoweb.com. Në vijim, shkrimi ia lë vendin historisë ku theksohet se deri në vitin 1966 Shqipëria nuk ka marrë pjesë në eliminatoret e botërorit, ndërsa në po këtë sezon debutoi në grupin ku bënte pjesë edhe Zvicra, Irlanda e Veriut dhe Holanda ku grumbulloi vetëm 1 pikë. “Këtë herë duket se Shqipëria e ka seriozisht ose të paktën po i provon të gjitha mundësitë. Zvicra është skuadra më e fortë e grupit, Norvegjia dhe Sllovenia janë superiore, ndërsa Qiproja dhe Islanda duken kundërshtarë me të cilët mund të përballet si e barabartë. Një skuadër e rritur shumë falë edhe eksperiencës së lojtarëve që aktivizohen jashtë vendit sepse vetëm 4 prej tyre militojnë në kampionatin shqiptar”, përfundon shkrimin e saj faqja italiane.





