Dje pritej seanca, pasi është apeluar dënimi, por nuk u paraqit asnjë prej gjyqtarëve

Bakillari qëndronte në spital për shkak të problemeve me zemrën, por jemenasit e kthyen në qeli

TIRANE, 24 mars 2013– Tre marinarët shqiptarë në Jemen kanë mbetur në mëshirë të fatit, pasi apelimi i kryer prej tyre shtyhet e shtyhet, duke u bazuar në pretendime të ndryshme, ndërkohë që kapiteni i anijes është hequr nga spitali dhe është dërguar në qeli. Mihail Cangonji, Nezir Shahaj dhe kapiteni i tyre Ari Bakillari vazhdojnë të qëndrojnë në burg në pritje të shqyrtimit të ankimimit të vendimit që u dha para më shumë se një muaji nga Gjykata Penale e Shkallës së Parë në Al Mukalla të Jemenit, ku anija “Eos” u bllokua dhe më pas u konfiskua nga autoritetet jemenase. Nga spitali në burg është dërguar edhe kapiteni Bakillari, i cili mbahej nën kujdes mjekësor për shkak të gjendjes shëndetësore dhe problemeve me zemrën.

Ai së bashku me Cangonjin që mbante detyrën e oficerit të parë dhe Shahaj, që mbante detyrën e kryemekanikut të anijes u dënuan me nga gjashtë vjet heqje lirie nga gjykata vendase, vendim që është apeluar. Po në një vend si Jemeni, afatet ligjore dhe të drejtat e njeriut duket se nuk respektohen. Dje ishte lajmëruar të niste shqyrtimi në Apel, por asgjë nuk ka ndodhur. Gjyqtarët nuk janë paraqitur, duke çuar në shtyrjen e nisjes së procesit. Ndërkaq, një avokat i ka kontaktuar marinarët shqiptarë, të cilët ndihen të pakënaqur nga apatia e plotë e shtetit tonë. Ndihen të braktisur në fatin e tyre, ndërsa kontaktet me ambasadorin janë mbajtur në linjë telefonike nga Riadi, kryeqyteti saudit, ku ndodhet selia jonë diplomatike që mbulon edhe marrëdhëniet me Jemenin.

Marinarët shprehen se nuk e kuptojnë pse ministri i Jashtëm nuk interesohet konkretisht për fatin e tyre, për aq kohë sa nuk ka asnjë shkelje në aktivitetin e tyre dhe gjithçka është lehtësisht e verifikueshme nga dokumentacionet e anijes, ngarkesës së saj me armatim, si dhe monitorimit të itinerarit, lëvizjeve të saj nga struktura e NATO-s dhe struktura të tjera të sigurisë ndërkombëtare. Marinarët kërkojnë ndihmë dhe ndërhyrje edhe nga Kryeministri Sali Berisha, të cilin e shohin si një autoritet të aftë për t’u dalë në krah shtetasve të vet që po përballen me një situatë të pazakontë, heqjen e lirisë në një vend që po gërryhet nga konfliktet e brendshme dhe shteti ligjor paraqitet problematik. Megjithatë, ata shpresojnë se marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve funksionojnë, por në këtë rast mungon interesimi konkret për fatin e tyre dhe jo të ngarkesës së anijes, që mbetet çështje që u përket palëve pjesëmarrëse në kontratë.

Anija “Eos”, e cila u ndalua nga autoritetet e Jemenit dhjetorin e kaluar kishte si destinacion portin Um-Kasr (Umm Qasr) në Jug të Irakut, ku do të shkarkonte ngarkesën. Ekuipazhi i anijes së drejtuar nga kapiteni shqiptar Ari Bakillari ka vendosur të ndalojë më 16 dhjetorin e kaluar për shkak të një defekti në një nga pistonat për riparim dhe për t’u furnizuar me karburant në Portin Mukalla të Jemenit, por autoritetet vendase kanë ndërhyrë duke sekuestruar ngarkesën dhe duke ndaluar të gjithë ekuipazhin e përbërë nga tre shqiptarë, dy indianë dhe një shtetas grek. Ndalimi i tyre është bërë më 19 dhjetor në qytetin port të Al-Mukallas.

/v.q. Shqip/