TIRANE, 24 mars 2013- Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi ka publikuar në faqen e tij në rrjetin social Facebook reformën më të re të sistemit të drejtësisë. 

Sipas tij, duhet të reformohet fillimisht sistemi i pagave të gjyqtarëve, pasi sic tha ai, paga më e mirë redukton nivelin e korrupsionit dhe përmirëson dhënien e drejtësisë. 

“Një grup ekspertësh në Ministrinë e Drejtësisë, kanë përfunduar draftin e ligjit për reformën e pagave në sistemin gjyqësor. Në strategjinë e reformës së sistemit të drejtësisë përveç rritjes së eficensës së sistemit gjyqësor nëpërmjet rishpërndarjes se gjyqtareve sipas ngarkesës, rritjes së transparencës së sistemit me fokus rritjen e përgjeshmërisë dhe llogaridhënies, padyshim që përmirësimi i statusit të gjyqtarëve është një nga çështjet kryesore të reduktimit të korrupsionit në sistemin gjyqësor. Rritja e pagave është element thelbësor i përmirësimit të statusit. Një rrogë më e mirë për gjyqtarët kam bindjen se do të ndikojë në reduktimin e korrupsionit. Paketa ligjore e hartuar për ketë ceshtje përfshin një set nenesh të cilat janë duke u publikuar në faqen e Ministrisë së Drejtësisë”, tha ai. 

Një gjyqtar, sipas ministrit nuk duhet të ketë pagë më të vogël se 1000 dollarë ne muaj. 

“Çdo gjyqtar që fillon punën ditën e parë nuk mund të ketë një pagë më të vogël se 100.000 lekë/muaj. Është e rëndësishme që gjyqtarët që dalin nga bankat e shkollës, të fillojnë karrierën e tyre me një pagë dinjitoze, si një element më shumë në rezistencën ndaj tundimit për të devijuar. Një pagë më e mirë, do ta bëjë atë më të pavarur nga vektorët ekonomike, por dhe të përgjegjshëm nga çdo sanksioni. Gjyqtari i krimeve të rënda do të paguhet jo më pak se 120.000 lekë/muaj. Një gjyqtar në Gjykatën e Apelit (minimalisht 7 vjet gjyqtar karriere) nuk mund të ketë pagë më të ulët se 140.000 lekë/muaj). Ne duam të rregullojmë njëherë e mirë statusin e gjyqtarit. Një sistem karriere i qartë, transparent dhe i besueshëm, po instalohet në KLD nga presidenti Nishani, por ky proces padyshim që duhet të shoqërohet dhe me përmirësimin e sistemit të pagës. Një gjyqtar i shkallës së parë mund të qëndrojë gjithë jetën në atë gjykatë dhe të mos ketë mundësi për të shkuar në një gjykatë apeli edhe për faktin se numri i gjyqtarëve të apelit është sa 1/5e numrit të atyre të shkallës së parë, por ai duhet të përfitojë pagën e gjyqtarit të apelit nëse ka një vjetërsi deri 25 vjet në karrierë. Një gjyqtar në Gjykatën e Apelit mund edhe të mos shkojë në Gjykatën e Lartë, sepse numri i gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë është sa 1/5 e atyre të Apelit por ai duhet të përfitojë pagën e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë nëse qëndron në këtë detyrë për më shumë se 25 vjet”, sqaroi Halimi. 

Sipas tij, “Reforma e sistemit të drejtësisë është një proces i pandalshëm por ne jemi të vendosur që të ecim përpara, për ta bërë sistemin gjyqësor, më të pavarur, më të paanshëm, më transparent e llogaridhënës, më të besueshëm dhe më eficent. Drafti ligjor i rritjes së pagave do të kaloj brenda muajit prill në Parlament”, tha ai. 

Ai më pas ftoi fansat e tij të bëjnë komentet e tyre për këtë draft. “Ndërkohë, mendimet tuaja janë shumë të rëndësishme dhe unë ju ftoj të merrni pjesë në diskutimin e kësaj reforme duke ju garantuar se bashkë me stafin që ka draftuar paketën do lexojmë me vëmendje çdo koment”.