KORCE, 23 mars 2013 – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, është ndalur në qytetin e Korçës për prezantimin e programit të partisë së tij për një “Rilindje shqiptare”. 

Duke folur përpara simpatizantëve dhe mbështetësve të kësaj partie, kryesocialisti tha se sistemi ende nuk është ndryshuar në kaq vite, pasi vendi gjendet ende i zhytur në probleme të mëdha, ku shërbimet dhe liritë e qytetarëve trajtohen si mall. 

“Ti mund të jesh sëmurë por ke bërë gabim që je sëmurur, se po nuk ke lekë nuk mund të shërohesh. Nëse nuk ke lekë fëmija yt do jetë analfabetë. Ti mund të duash ti shërbesh shtetit si polic, por po s’pate lekë, ty polic nuk të bëjnë kurrë. Kjo është situata në një qeveri që shet çdo gjë për të përfituar për vete. Duhet bërë një bilanc sepse më 23 qershor është dita për të dhënë përgjigje se pse u ndryshua sistemi. Jemi në kushtet kur edhe ata që duan të jetojnë me punën e tyre nuk jetojnë dot, sepse s’kanë ujë për të vaditur.”

Rama deklaroi se qeveria gënjen nga dita në ditë, veçanërisht për rritjen e punësimit, ku referuar asaj që Kryeministri e deklaroi si rritjen e punësimit në fshat me 11 mijë vetë, kreu i opozitës tha se vetë INSTAT i varur nga Kryeministria, thekson se punësimi në fshat është ulur me 57 mijë vetë.

Duke u ndalur tek zgjedhjet e 23 qershorit Rama theksoi se PS do të rilindë Shqipërinë me ardhjen në pushtet.

 “Sepse pas 23 qershorit ne do rilindim Shqipërinë dhe demokratët do rilindin Partinë Demokratike, dhe kush e ka ndarë mendjen se vërtetë këta e kanë shtruar me asfalt rrugën Tiranë-Tokio, se kanë rritur punësimin, atëherë ne nuk kemi çfarë t’iu themi, veçse do u shërbejmë njëlloj pas 23 qershorit”,- tha Rama.

/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/