ITALI, 21 mars 2013– Moment i rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët në Torino: një park i qytetit do të marrë emrin e Nënë Terezës.  

Gruas më të famshme të shekullit XX do t’i dedikohet një park publik në qendrën më plurietnike të qytetit të Torinos. Vendimi u mor më 19 mars nga komisioni i toponomastikës me kërkesë së tre shoqatave, "Nënë Tereza", "Art@mia", "Infiniti Mondi Onlus".

Të njëjtat shoqata, në bashkëpunim të ngushtë me Konsullatën e Nderit në Torino, organizuan konferencën-dialog "Nënë Tereza, thesar i Shqipërisë, thesar i Njerëzimit" në mjediset e Palazzo Madama. Dialogu pati një vlerë të veçantë si për pjesëmarrësit ashtu dhe për publikun.

Dom Lush Gjergji, biografi i të Lumnuarës Nënë Tereza, pasqyroi ambjentin e lindjes dhe rritjes së saj dhe parashtroi, përtej bamirësisë, disa aspekte më pak të njohura si aftësinë e saj për të kërkuar gjithmonë dritën, spiritualitetin e saj sa esencial aq dhe të thellë, ndjenjat e saja më intime për Zotin dhe Njeriun, si edhe gërshetimin e tyre në mënyrë të pazgjidhshme në duart punëtore të Nënë Terezës.

Është për t’u shenuar që gjithë bashkësia shqiptare, nëpërmjet individëve dhe shoqatave të ndryshme që veprojnë në Torino, ka mirëpritur e përkrahur kërkesën për t’i kushtuar Nënë Terezës një pjesëz të qytetit, duke krijuar enkas grupin “Torino per Madre Teresa”.

Shpresa e bashkësisë shqiptare në Torino është që brenda vitit, të gjithë qytetarët e Torinos të kenë mundësinë të pushojnë në parkun “Nënë Tereza”.

/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/