TIRANË , 21 mars 2013 – Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë Edmond Panariti, priti në një takim, Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit për Bashkëpunimin Rajonal Goran Svilanoviç, të cilin e uroi për marrjen e detyrës, si edhe vlerësoi kontributin profesional dhe personal të tij për thellimin e bashkëpunimit me Shqipërinë.
Ministria e Jashtme njoftoi se Svilanoviçi falënderoi Shqipërinë për vëmendjen e veçantë që i kushton bashkëpunimit rajonal në tërë gjerësinë e tij, në aspekte të tilla si zhvillimi ekonomik dhe social, infrastruktura dhe energjetika, çështje të drejtësisë, bashkëpunimi në fushën e sigurisë, ndërtimi i kapaciteteve humane, bashkëpunimi ndërparlamentar etj.
Të dy bashkëbiseduesit, vlerësuan vendimin e Bordit të Këshillit për Bashkëpunimin Rajonal për përfaqësimin e Kosovës në të, jo më me siglën e UNMIK-ut, por me atë të Kosovës.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





