TIRANË, 21 mars 2013 – Plani i z. Rama për punësim është fantazi e sajuar në dhomën e tij të ndenjes, një frazë “soft” e Ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve Sokol Olldashi.
Olldashi njihet për të folurën e ashpër (hard talk), shto këtu talentin prej ish-gazetari, poeti dhe juristi.
Ky reagim i ministrit Sokol Olldashi vjen pas deklaratës së kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama për punësimet në infrastrukturë
Ministri i rrugëve, ndryshe nga kolegët e tij dhe kryeministri, është munduar që me pak radhë t’i përgjigjet normalisht kreut të opozitës, madje me etikën amerikane e përdorimit të fjalës “zotni”, ndoshta kjo dhe për faktin se Rama e ka mundur në betejën e parafundit për bashkinë e kryeqytetit.
Për Olldashin “sulmi i z. Rama mbi rrugët tregon se ai nuk e ka absolutisht idenë se si rritet biznesi dhe si krijohen vendet e reja te punës”.
Ministri i PPTT argumenton se “ndërtimi dhe përmirësimi i rrugëve ka një ndikim të drejtpërdrejtë në punësim”.
Anëtari i kabinetit qeveritar tha se janë shtruar 10 mijë km rrugë, dhe qytetarët mund t’i shohin vetë rezultatet”.
Sipas Olldashit, 45 mijë shqiptarë u punësuan, çdo vit, në ndërtimin e rrugëve, pasi biznese të reja lindën, duke punësuar më shumë shqiptarë.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





