DURRES, 21 mars 2013 – Shoqata “Durrësi”, edhe këtë vit, ashtu siç e ka kthyer në traditë organizoi këtë 21 mars ditën e pranverës.
Në aktivitetin e zakonshëm që zhvillohet tek Pallati i Kulturës “Aleksandër Moisiu” u nderuan me titujt “Fisnike e qytetit” dhe “Nderi i qytetit” 2 shtetas të huaj dhe një sipërmarrëse durrsake.
Këtë herë shoqata “Durrësi” i kishte rezervuar titujt e saj të nderit për atë që të gjithë e njohin me emrin suor Donata, emri i vërtetë i së cilës është Adelaide Montagnoli. Drejtoreshës së shkollës “Vinçens Prendushi” iu akordua titulli “Fisnike e qytetit” për kontributin e saj prej mëse 20 vitesh në edukimin e brezave të tërë nxënësish që kanë dalë nga bankat e kësaj shkolle 9-vjeçare.
Në harkun kohor të pak muajve ky është titulli i dytë që i akordohet motër Donatës, pasi në mesin e muajit nëntor të vitit të kaluar asaj iu akordua titulli “Qytetare nderi” nga Këshilli Bashkiak i qytetit.
Të tjerë të nderuar me tituj mbrëmjen e sotme ishin dy sipërmarrës të rëndësishëm të qytetit, biznesmeni Italian Carmine Cipro, president i firmës “Manitalia” sh.pk. dhe biznesmenia durrsake, Eleni Babameto, presidente e kompanisë “Teuta” sh.p.k.
Biznesmeni italian Carmine Cipro ushtron prej vitesh aktivitetin e tij në qytetin e Durrësit, madje atij i njihet merita e ngritjes së një kopshti në ambientet e kompanisë, për t’u ardhur në ndihmë nënave të reja të punësuara në ndërmarrjen e tij.
Ndërkohë Eleni Babameto, së bashku me të shoqin kanë ngritur në Durrës një nga kompanitë më të suksesshme dhe lider në sektorin ku ato ushtrojnë aktivitetin, jo vetëm në Durrës, por në të gjithë Shqipërinë.





