ITALI, 21 mars 2013 – Ish trajneri i Peruxhias Serse Cosmi, i cili është grabitur nën kërcënimin e armëve nga një bandw shqiptarësh në Itali kërkon të hakmerret.

Siç njoftojnë mediat italiane, Serse Cosmi, ka depozituar një padi civile në gjykatë pasi në janar të vitit 2011 ai u mor peng bashkë me familjen e tij nga një prej bandave më të rrezikshme të shqiptarëve, e specializuar për vjedhjen e vilave.

Gjatë grabitjes, banda e shqiptarëve mori me vete rreth 5000 euro para, si dhe shumë bizhuteri të çmuara, ndërsa vilës i shkaktuan dëme të mëdha materiale.

Cosmi bashkë me familjen është kërcënuar me vdekje, ndërsa është mbyllur me çelës me gruan dhe vajzën në një dollap, duke u privuar nga celularët.

Altin Hoxha, 28 vjeç është një nga pjesëtarët kryesorë të bandës së hajdutëve që ka vjedhur të paktën njëmbëdhjetë vila në provincën e Peruxhias, mes të tjerash edhe atë të trajnerit të futbollit Serse Cosmi.

Pas arrestimit, Altin Hoxha i njohur edhe si “grabitësi me sy të akullt” për shkak të ngjyrës së syve, është arratisur nga burgu Regina Coeli në Romë, për t’u arrestuar sërish në Shqipëri, pas një bashkëpunimi të policive të dy vendeve.