TIRANE, 21 mars 2013 – Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku, deklaroi sot se zhvillimi ekonomik dhe punësimi janë prioritet i Bashkisë së kryeqytetit dhe në këtë kuadër bashkëpunimi me biznesin, krijimi i lehtësirave sa më të mëdha për ta është objektiv kryesor i punës së Bashkisë së Tiranës. 

“Zhvillimi ekonomik dhe punësimi është dhe do të mbetet prioritet. Zhvillimi ekonomik dhe punësimi për 10 vite në Bashkinë e Tiranës kanë përjetuar zero rritje, zero politika fiskale për të ndihmuar biznesin, zero politika për të punësuar të rinjtë, ndërkohë që vetëm në një vit e gjysëm kemi bërë të mundur që të paktën tre apo katër sektorë prioritarë të bizneseve të vogla të cilët mbajnë në punë mijëra e mijëra punonjës, të mbështeten me politikën e uljes 30% të taksës për biznesin e vogël. Luleshitësit, librashitësit, artizanati, produkte të cilat ne i konsumojmë përditë, por që më në fund edhe bizneset përfitojnë nga kjo ulje”,– u shpreh Tabaku.

Si rezultat i politikave të ndjekura dhe lehtësive të krijuara, – theksoi nënkryetarja Tabaku, gjatë vitit 2012 janë regjistruar  6.635 biznese të reja dhe janë çregjistruar 3.284. Pra, në vitin 2012, në Tiranë janë 3351 biznese të shtuara,  ndërsa numri i të punësuarve gjatë këtij viti është 8149. 

/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/