TIRANE, 21 mars 2013 – Reshjet e fundit kanë rritur nivelin e prurjeve në Kaskadën e Drinit, duke çuar prodhimin e energjisë të arrijë deri në 26 milionë kilovatorë energji elektrike, e përcaktuar si një shifër e kënaqshme për sistemin tonë.
Si rezultat pas rreth një viti, KESH ka nisur që të shesë energji në përpjekje për të ruajtur nivelin e liqeneve, në kuotat e parashikuara nga rregullorja.
Sipas të dhënave, aktualisht po eksportohen 9 milionë kilovat orë energji nga të cilat 3 shkojnë në Kosovë.
Sipas të dhënave zyrtare të Koorporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), niveli i ujit në hidrocentralin e Fierzës ka arritur në 293.36 metra, ku pika maksimale e tij 296 m dhe punohet me 4 agregatë.
Prurjet në HEC-in e Fierzës llogariten 480 m3/s. Niveli i ujit në HEC-in e Komanit ka arritur në 170.56 m, po punohen me 4 agregatë dhe prurjet llogariten 270 m3/s. Ndërkohë, niveli i HEC-it të Vaut të Dejës është 74 m, po punohet me 5 agregatë dhe prurjet llogariten 70 m3/sek ujë.
Sipas KESH tashmë është ndalur import i energjisë, pasi CEZ ka nisur që të mbulojë nevojën për energjinë e humbur në rrjet. Në dy hidrocentralet e tjerë të vendit në Koman dhe në Vaun e Dejës vijojnë shkarkimet e ujit.
Sistemi energjitik në Shqipëri është përmirësuar ndjeshëm pas muajve pa reshje dhe problemeve të krijuara nga CEZ Shpërndarje e cila më pas si rezultat kaloi nën administrim shtetëror.
/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





