ÇOROVODE, 21 mars 2013– Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga deputeti i Qarkut Berat, Nasip Naço, ka zhvilluar një sërë takimesh në këtë qark. Ai mori pjesë në një takim entuziast me qindra banorë të qytetit të Poliçanit, gjatë një takimi të zhvilluar në Çorovodë, vizitoi një punishte artizanale për prodhimin e produkteve me thupra si dhe mori pjesë gjithashtu edhe në ceremoninë e përurimit të urës tip “Bejli” të ndërtuar nga forcat e armatosura në Komunën Vendreshë. Në takimin në një punishte artizanale për prodhimin e produkteve me thupra, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, tha se LSI do të bëjë të gjitha përpjekjet e mundshme për të zgjeruar aktivitete të tilla por edhe aktivitete të llojeve të ndryshme që hapin vendet e rejat të punës. Sipas tij punësimi është obligimi kryesor i Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Ndërkohë që në përurimin e urës në Komunën Vendreshë, z. Meta ishte i shoqëruar edhe nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Forcave të Armatosura, Gjeneral Major Xhemal Gjunkshi. Z. Meta duke i falënderuar Forcat e Armatosura tha se kjo urë shumë e rëndësishme për banorët e kësaj zone. Ndërsa në takimin e madh të zhvilluar me qindra banorë të qytetit të Poliçanit, kryetari i Lëvzijes Socialiste për Integrim tha se është domosdoshmëri forcimi i stabiliteti të vendit por edhe Shqipëria duhet të ecë më shpejt. Sipas tij për këtë duhet gjetur një e mesme e artë dhe e mesmja e artë është LSI-ja. Lideri i LSI-së tha se përmes fuqizimit të LSI-së do të normalizohet Parlamenti dhe do të përmirësohet klima politike në vend, sepse LSI ka filozofinë e bashkëpunimit dhe jo të konfliktit. Sipas tij rezultati i jashtëzakonshëm më 23 qershor do të jetë një “ngjarje e sigurt”. Sipas kryetarit të LSI-së çdo votë për LSI-në është një investim për një Shqipëri më të mirë, për një Parlament më normal, për një klimë politikë sa më të mirë.
Takimi ne punishten artizanale të thuprave
Gjatë takimit të zhvilluar në Çorovodë, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, vizitoi edhe një punishte artizanale për prodhimin e produkteve me thupra. Në një prononcim për mediat e pranishme aty, z. Meta tha se LSI do të bëjë çdo gjë për të krijuar hapësira për të tilla produkte, pasi, sipas tij, ndihmojnë punësimin. “Është e rëndësishme për të gjetur treg të qëndrueshëm, në mënyrë që dhe puna të jetë e qëndrueshme dhe të zgjerohen këto aktivitete. Ne do të bëjmë çdo gjë që të jetë një projekt afatgjatë dhe do të përpiqemi që t’i shtojmë vendet e reja të punës edhe në këtë aktivitet, edhe në aktivitete të tjera”, tha ndër të tjera z. Meta.
Përurimi i urës në Komunën Vendreshë
Lideri i LSI-së, Ilir Meta, mori pjesë gjithashtu edhe në ceremoninë e përurimit të urës tip “Bejli” të ndërtuar nga forcat e armatosura në Komunën Vendreshë. Në ceremoninë e rastit mori pjesë edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Forcave të Armatosura, Gjeneral Major Xhemal Gjunkshi. “Dua të shpreh kënaqësinë e madhe që jam sot në këtë përurim. Kjo rrugë po përfundon sot falë angazhimit, përkushtimit dhe sensibilizimit të bërë nga komuniteti në mënyrë të veçantë ndaj qeverisë, ndaj ministrisë së Mbrojtjes etj. Prandaj sot falënderimi më i madh dhe mirënjohja më e thellë i takon Ministrisë së Mbrojtjes, i takon Shtabit të Përgjithshëm, për vëmendjen, gatishmërinë dhe kontributin që dha që përfundimisht ne ta kemi këtë vepër në shërbim të një perspektive më të mirë për këtë komunitetit për të gjithë banorët, në veçanti për fëmijët që shkojnë në shkollë. Kjo është një urë e cila sjell një shpresë të re për të gjithë banorët këtu, është një urë e cila tregon edhe lidhjen e fortë të ushtrisë sonë me popullin tonë, dimensionin e ri që ajo ka marrë”, tha ndër të tjera z. Meta në këtë përurim.
Takimi në qytetin e Poliçanit
Në fjalën e tij në takimin e zhvilluar në Poliçan, Lideri i LSI-së, Ilir Meta, u shpreh se shumë janë bërë deri më tani për këtë qytet por duke pasur mundësi më të mëdha pas 23 qershorit do të bëhet akoma më shumë për Poliçanin. Ai tha se LSI kërkon që Shqipëria të ecë më shpejt dhe të mos bëhen më gabimet e së kaluarës.
“Ne duam që të ecim më shpejt, e gjithë Shqipëria të ecë më shpejt, edhe Poliçani të ecë më shpejt. Nuk duhet të bëjmë gabime të së kaluarës. Populli shqiptar nuk ka kohë të gënjehet, nuk ka kohë të mashtrohet, aq më tepër në këtë periudhë krize për të gjithë botën, për të gjithë Evropën, për Greqinë, për Italinë, që ju e dini shumë mirë. Prandaj duhet forcuar stabiliteti i vendit por edhe Shqipëria duhet të ecë më shpejt”, tha z. Meta. Sipas tij duhet gjetur një e mesme e artë dhe e mesmja e artë është LSI-ja. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, tha se LSI do të ketë shumë më tepër përfaqësim pas 23 qershorit sepse situata është shumë më e favorshme për të.





