TIRANE, 21 mars 2013– Mbledhja e komisionit të jashtëm është shoqëruar sot me debate mes deputetëve në lidhje me rendin e ditës.
Deputetët socialistë janë ankuar se nuk janë njoftuar për diskutimet që do të zhvillohen në mbledhjen e komisionit.
“Nuk na keni njoftuar çfarë do të diskutohet, kjo është një mbledhje jashtë radhës.Nuk mund të na inpononi për çështje që nuk janë parashikuar për t’u diskutuar” është shprehur deputetja socialiste Arta Dade.
Ndërkohë, deputeti i PDIU-së Shpëtim Idrizi ka kërkuar nga deputetët të shqyrtojnë rezolutën çame.
Kemi 3 muaj që e kemi sjellë këtë projekt, javën tjetër duhet të diskutohet në Kuvend” ka theksuar Idrizi.
Ndërsa deputeti demokrat Beja është shprehur se po punohet nga relatorët për çështjen çame dhe ata do të shpjegojnë si është situata.
Ndërsa deputeti socialist Namik Dokle është shprehur se rezoluta çame është dokument i rëndësishëm që kërkon seriozitet. “Ne kemi vullnet për ta shqyrtuar çështjen çame” është shprehur ai.
I menjëhershëm ka qënë reagimi I deputetit Idrizi I cili ka kërkuar që të mos zvarritet shqyrtimi i rezolutës came pasi sipas tij ajo është kusht për koalicionet.
“Më vjen mirë që të gjithë kolegët kërkojnë seriozitet për çështjen çame. Ka patur kohë që relatorët të shqyrtojnë rezolutën came. Të mos zvarritet shqyrtimi i rezolutës çame, ajo është kusht për koalicionet. Deputetët ta votojnë rezolutën çame, se kjo është çështje shqiptare” është shprehur Idrizi.
Ndërkohë deputetët e PS-së në komision kërkuan edhe seancë dëgjimore me ministrin e Jashtëm Edmond Panariti në Komision në lidhje me fondet për ambasadat.
Në përgjigje të kërkesës së tyre, deputeti demokrat Fatos Beja theksoi se ministri do të jetë në komision për të raportuar në lidhje me këtë çështje javën e ardhshme.





