ELBASAN, 21 mars 2013- Një nga zhdukjet më të bujshme të dekadës së fundit në qytetin e Elbasanit është ajo e një 9- vjeçari në 7 Korrikun e vitit 2004. 

I mituri Artur C. njihej në këtë qytet sidomos nga tregtarët, por jo vetëm sepse shiste prej një kohe të gjatë anekënd rrugëve të Elbasanit qese plastmasi. 

Gjurmët e tij të fundit janë ato të mëngjesit të 7 korrikut 2004, kur ai kishte dalë në tregun e fruta-perimeve së bashku me vëllain e tij më të rritur, për të shitur qese plastmasi. 

Por ndërsa vëllai i tij u kthye në banesë atë pasdite, që nga ajo kohë fati i Artur C. nuk dihet, edhe pse dyshohet se atë e kanë rrëmbyer dhe trafikuar persona që kanë qenë të identifikuar për trafik qeniesh njerëzore.