TIRANE, 21 mars 2013- Pista kryesore e Policisë së Tiranës për ras tin e 10-vjeçarit Julian Çela është ajo e vrasjes, duke përjashtuar mundësinë e trafikimit të organeve. Ndonëse qarkullojnë zëra se vogëlushi mund të ketë përfunduar si pjesë e ndonjë trafiku organesh, në një prononcim të shkurtër për “Gazetën Shqiptare”, kreu i Drejtorisë së Policisë së kryeqytetit, Bernard Çaushaj pohon se “hetimet janë përqendruar tek pista se Julian Çela është vrarë”. 

Veç kësaj, Çaushaj thekson se forcat e policisë janë përqendruar tek gjetja e trupit të vogëlushit. “Po hetohen edhe raste të tjera në të cilat dyshohet se është përfshirë Prrenjasi. Dyshojmë se ka bashkëpunëtorë të tjerë”, – rrëfen për “GSH”, kreu i Policisë së Tiranës, Bernard Çaushaj. 

Ndërkohë, sot pritet të nisin sërish gërmimet në landfillin e Sharrës për gjetjen e trupit të Julian Çelës. Kërkimet do vijojnë në zonat që pedofili Ardian Prrenjasi ka piketuar si vendet ku mund të ketë hedhur trupin e vogëlushit. Ndërkohë, forcat e policisë e kanë të vështirë ta gjejnë trupin, edhe për shkak të dëshmive kontradiktore që ka dhënë “monstra”, pasi ka ndërruar vendndodhjen e trupit.

MJEKËSIA LIGJORE: I MITURI A. C KA SHENJA DHUNE FIZIKE DHE PSIKOLOGJIKE

Ka përfunduar sot akt ekspertiza për 10-vjecarin A.C i cili u rrëmbye dhe abuzua nga monstra i Laprakës, Ardian Prenjasi. Në momentet që është arrestuar Prenjasi u gjet me thikë në dorë teksa po kërcënonte të miturin se do ta vriste. 

Ndërkohë që sot, Mjekësia Ligjore ka përfunduar akt ekspertizën për të. 

Sipas aktit të ekspertizës i mituri ka shenja dhune fizike dhe psikologjike. 

Mjekësia ligjore shton se, “Akt ekspertiza është prova kryesore mbi të cilën ngrihen akuzat për Ardian Prenjasin”. Pritet që akt ekspertiza t’i kalojë prokurorisë. 

FAMILJARËT E JULIANIT: NËSE POLICIA NUK E GJEN TRUPIN DO BËJMË VETË KËRKIME

Familjarët e 11-vjecarit Jualian Çela shprehen të shqetësur për mosnisjen e kërkimeve për trupin e pajetë të të afërmit të tyre, i cili dushohet të jetë vrarë nga monstra pedofil Ardian Prenjasi. 

Besim Tarko, djali i tezes së Julian Çelës nga ladfilli i Sharrës deklaron për News24 se nuk ka ende një komunikim zyrtar nga policia nëse sot do ketë kërkime, teksa paralajmëron se nëse policia nuk e gjen trupin rinisin vetë kërkimet. 

Tarko shpreh dyshimet që kanë nëse trupi i 11-vjecarit mund të gjendet në Sharrë, teksa deklaron se nuk kanë asnjë informacion për kërkimet e deritanishme. 

NIS VERIFIKIMI I DOSJEVE PËR PEDOFILI NGA ‘98

Prokuroria e Elbasanit ka nisur sot verifikimin e dosjeve për pedofili që nga viti 1998, për të gjetur rastet kur ka pasur denoncime për ‘monstrën e Lapraksës’, Ardian Prenjasi. 

Ndërkohë, miku i tij i fëmijërisë, Fatmir Bogdani në një intervistë për gazetën Panorama rrëfen se aktin e parë të pedofilisë Ardiani e ka kryer me një të mitur në Prrenjas, qysh në vitin 1989 kur u kthye nga ushtria, periudhë kjo që edhe familja ka vënë re devijimet e tij. 

Në vitin 1998 edhe sipas rrëfimit të mikut të tij ai ka abuzuar me shokun e nipit të tij dhe që në atë kohë ishte zhdukur nga Prrenjasi. Abuzimi i tretë ky, pas rastit në Greqi.