TIRANE, 20 mars 2013- “Monstra i Laprakës”, Ardian Prrenjasi u përball sot me togat e zeza në Gjykatën e Tiranës, ku iu komunikua masa e sigurisë arrest me burg. Ashtu siç pritej, Gjykata e Tiranës vendosi sot në një seancë pa praninë e mediave, mbylljen e tij në qeli, pasi akuzohet për krime të rënda. 45-vjeçari u paraqit në Gjykatën e rrethit nën masa të rrepta sigurie, ku u njoh me akuzën e ngritur kundër tij nga prokuroria e Tiranës.
Prokuroria ka ngritur ndaj Prrenjasit akuzën e “Kryerjes së marrëdhënieve homoseksuale me dhunë me të mitur” në dëm të 10-vjeçarit A.C..
Ndërkaq, ndaj tij ende nuk ka një akuzë zyrtare për vrasjen e Julian Çelës, djalit të zyrtarit të lartë të SHISH-it.
Ardian Prrenjasi u arrestua tre ditë me parë në banesën e tij me qira në zonën e Laprakës, me akuzën e rrëmbimit dhe dhunimit seksual të një 10 vjeçari. Gjatë marrjes në pyetje në rajonin e policisë, i akuzuari si pedofil, Ardian Prrenjasi ka deklaruar autorësinë dhe në vrasjen e 11 vjeçarit J.C që rezultonte i zhdukur që prej nëntorit të vitit të kaluar. I arrestuari dyshohet për disa raste të abuzimit me fëmije, sipas prokurorisë së Tiranës, që ka hapur një hetim të gjerë kundër tij.
NISIN GERMIMET NE SHARRE PER GJETJEN E TRUPIT TE JULIANIT
Në praninë e 4 ekspertëve, policia ka nisur gërmimet në landfillin e Sharrës për gjetjen e trupit të Julian Çelës. Momentalisht po kërkohet në zonat që pedofili, Ardian Prrenjasi, ka piketuar si vendet ku mund të ketë hedhur trupin e vogëlushit.
Mësohet se Prrenjasi ka ndryshuar vendndodhjen e trupit, pasi kërkimet kanë nisur në parcelën numër 1 dhe jo në parcelën, që ai piketoi dy ditë më parë. Policia ka rrethuar zonën dhe nuk lejon hyrjen e mediave dhe as të familjarëve të vogëlushit në Landfill.
POLICIA DËRGON PRENJASIN NË SHARRË, RINDËRTON SKENËN E KRIMIT
Përpara se të nisin kërkimet për trupin e vogëlushit Juliaj Cela, policia ka dërguar sërish në landfillin e Sharrës, pedofilin Ardian Prrenjasi, duke i kërkuar të rindërtojë edhe njëherë skenën e krimit dhe të tregojë zonën ku e ka hedhur trupin e të miturit. Momentalisht në Sharrë kanë mbërritur 4 ekspertë të cilët do të organizojnë punën për kërkimin e trupit të djalit të zyrtarit të SHISH-it.
KËRKIMET PËR TRUPIN E JULIAN ÇELËS, SOT NIS KREHJA E ZONËS NË SHARRË
Në landfillin e Sharrës, ku pedofili Ardian Prrenjasi pretendon se ka hedhur trupin e pajetë të 11- vjeçarit, Julian Çela, pritet të nisin sot kërkimet për gjetjen e eshtrave të vogëlushit. Familjarët e Julian Çelës vazhdojnë të qëndrojnë prej disa ditësh në landfillin e Sharrës, duke u shprehur të gatshëm të përballojnë vete shpenzimet për kërkimet e trupit. Ata shprehin dyshime se trupi i djalit nuk është hedhur në Sharrë, megjithatë presin konfirmimin e autoriteteve për dëshminë e Ardian Prrenjasit.
Në landfill hynë vetëm personat dhe automjetet e autorizuara. Menaxheri i landfillit të Sharrës, Artan Zilfo, i cili është në varësi të ndërmarrjes nr.1 të Bashkisë së Tiranës sqaroi se ata kanë një regjistër të posaçëm, ku regjistrohen të gjitha hyrje-daljet në landfill dhe se aty mund të hynë vetëm mjetet e autorizuara.
Ai tha se është ngritur një grup hetimor dhe do të nisë krehja e zonës, ku pretendohet se është hedhur trupi i 11-vjeçarit. Menaxheri i këtij landfilli, ku grumbullohen tonelata mbetjesh në ditë, edhe pse nuk e ka deklaruar, ka lënë të kuptohet pamundësinë e gjetjes së trupit të mitur, pasi mbetjeve u bëhet një përpunim me mjete teknologjike.





