SHIJAK, 20 mars 2013 – Evitohet një konflikt i armatosur në fshatin Qerret. Sqarimi mes dy krushqëve të dikurshëm për pak sa nuk ka shkaktuar viktimën e rradhës. Burime policore bëjnë të ditur se shtetasi Halil Maksuti, banues në sektor Rinia ka shkuar në fshatin Qerret, tek një miku i tij, për t’u sqaruar me ish dhëndrin e tij.

Në debat e sipër me familjen e ish dhëndrit 48 vjeçari Maksuti ka nxjerrë një pistoletë që mbante me vete dhe ka tentuar të qëllojë në drejtim të ish krushkut të tij, shtetasit  me iniciale H.P. megjithëse ka arritur ta shkrepë armën, ndërhyrja e menjëhershme e personave të pranishëm në debat ka evituar përshkallëzimin e situatës.

Menjëherë pas të shtënave është njoftuar salla operative e komisariatit të Shijakut dhe një polic që ndodhej në afërsi të vendit ku u regjistrua konflikti i armatosur ndërhyri në vendngjarje dhe arriti të bllokonte armën e zjarrit.

Sapo ka konstatuar mbërritjen e policisë 48 vjeçari Maksuti ëhstë larguar me të shpejtë, por nuk ka mundur të shkojë shumë larg, pasi është kapur dhe ndaluar nga policia në afërsi të banesës së tij.

Grupi hetimor ka nisur menjëherë nga puna për të zbardhur rrethanat e kësaj ngjarjeje, ndërkohë që përveç të ndaluarit Halil maksuti, janë shoqëruar në polici edhe personat e pranishëm gjatë konfliktit.

Dëshmia e tyre mund të hedhë dritë mbi këtë ngjarje që për fat të mirë u mbyll pa viktima dhe të plagosur.

/m.l. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/