TIRANE, 20 mars 2013 – Kryeministri Berisha mori sot pjesë në aktivitetin dedikuar edukimit të të rinjve për gatishmëri dhe aftësim në punë.
Berisha falenderoi fondin shqiptaro-amerikan të ndërmarrjeve, presidentin e tij, bordin e këtij fondi, të cilët janë iniciatorë kryesore të implementimit të praktikës amerikane në Shqipëri.
“Sot në KM unë kam pritur dy anëtarë të rrjetit tuaj që ju kanë përfaqësuar juve me dinjitet të madh”, tha Berisha
Duke iu drejtuar nxënësve të shkollave të mesme, Berisha shtoi se, “Guximi juaj është besim i meritur tek vetvetja. Në lidership guximi është kusht themelor pa të cilin nuk frymëzoni dot njeri. Misioni i liderit është të frymëzojë ekipin e tij. Lideri udhëheq me shembullim personal, guzimi është njëra anë, përkushtimi është i domosdoshëm. Ti mund të jesh një udhërrëfyes shumë i mirë me një kusht që të pranosh punën në ekip”, tha ai.
Kreu i qeverisë nënvizoi edhe njëherë se qeveria e tij, do bëj gjithcka për të garantuar punësimin e të rinjve. “Nuk ka më të rëndësishme se sa angazhimi i të rinjve në sipërmarrjen e lirë. Do bëjmë një ligj që të heqë për cdo të ri të punësuar taksat për tre vjet”, shtoi ai.
Ndër të tjera Berisha tha se, “Le ta vazhdojmë së bashku këtë nismë, nuk do jeni më 700, do ta shtrijmë këtë kurrikul në të gjitha shkollat e vendit. Të gjithë jeni liderë të merituar”, vijoi ai.





