ANGLI, 20 mars 2013 – Shkencëtarët britanikë deklaruan se eshtrat e dinosaurit, të zbuluara nga një vajzë 5-vjeçare në bregdetin jugor të vendit, i përkasin një lloji të ri. Daisy Morris gjeti në plazhin e Ishullit Wight në vitin 2009 skeletin e një zvarraniku prehistorik, mosha e përafërt e të cilit mendohet të jetë 150 milionë vjet.
Më vonë u bë e qartë se fjalë bëhet për një lloj të ri të pterosaurit, domethënë një zvarraniku fluturues, i cili u emërua për nder të zbuluesit të parë – Vectidraco daisymorrisae. Për nga përmasat e veta zvarraniku parahistorik nuk është më i madh se një sorrë apo një pulëbardhë bashkëkohore.





