DURRES, 20 mars 2013– Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako ka promovuar një nismë të re që do t’i ndryshojë pamje shumë prej fasadave të godinave të qytetit të Durrësit. Dako ka qenë sot në kopshtin “Sotir Noka”, ku piktorja suedeze Carolina Falkholt ka pikturuar fasadën e jashtme të këtij kopshti fëmijësh.

Nisma e artistes së huaj është realizuar falas dhe siç u shpreh ajo sot këtë projekt kërkon ta çojë më tej edhe me godina të tjera të qytetit. Piktorja suedeze ka punuar për të krijuar një ambient të bukur për fëmijët, ndërkohë që kjo nisëm e mbështetur nga Bashkia do të vijojë edhe për ndërtesa të tjera të qytetit që do të pikturohen nga artistë vendas e të huaj. Për ideimin e pikturimin e fasadës së këtij kopshti, Falkholt përfshiu në projektin e saj të gjithë fëmijët, të cilët para nisjes së punës nga ana e Falkholt shprehën në letër idetë dhe dëshirat e tyre duke i dhënë kështu jetë pikturimit final të fasadës. 

Gjithçka nisi falë bashkëpunimit mes kuratorit të Qendrës së Artit “Roda Sten”, Edi Muka dhe artistes suedeze Carolina Falkholt në ekspozitën “Mushqeta”, projekt ky që u pasua nga lyerja e fasadës së kopshtit “Sotir Noka”. Projekti i ardhshëm që artistja suedeze do të vërë në jetë në Durrës është pikturimi i fasadës së shkollës artistike “Jan Kukuzeli”. Carolina Falkholt është një artiste suedeze që në karrierën e saj ka pikturuar në muret e shumë qyteteve si Nju Jork, Stokholm, Goteborg etj.

Bashkia e Durrësit e ka pritur me krahë hapur propozimin për të vazhduar një iniciativë të kësaj natyre që do t’i dhurojë qytetit një tjetër pamje, plot ngjyra dhe forma të reja. Sipas kryetarit të bashkisë Vangjush Dako, Bashkia e qytetit do të vazhdojë këtë nisëm në kuadrin e përmirësimit të infrastrukturës së qytetit dhe të aspekteve estetike në hapësirën urbane përmes ndërhyrjeve artistike.

Bashkia e Durrësit është e vendosur për ta vazhduar bashkëpunimin e nisur me artistë vendas e të huaj në forma të reja dhe origjinale që përfshijnë qytetarët durrsakë në procesin krijues të veprave publike të artit, siç është rasti i pikturimit të fasadave të ndryshme në qytet.

/m.l. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/