TIRANE, 20 mars 2013– Partia Socialiste ka deklaruar sot se ngjarjet e ndodhura ditët e fundit në vend tregojnë se sa e rënduar është situata e kriminalitetit në Shqipëri.

Deputetja socliaste Eglantina Gjermeni në një konferencë nga selia rozë tha se vrasja e Julian Çelës tregon se krimi mbizotëron dhe qeveria nuk garanton as sigurinë e fëmijëve as të jetës së njerëzve.

“Krimi makabër që ka tronditur mbarë shoqërinë shqiptare dhe që ka prekur çdo familje, çdo nënë e çdo baba në këtë vend, tregon në fakt se sa e rënduar është situata e rendit në Shqipëri, sa i paaftë e i kalbur është i gjithë sistemi i drejtësisë dhe rendit që supozohet të garantojnë qytetarët shqiptarë. Sot ky shtet nuk garanton dot më asgjë. Nuk na garanton dot që nuk do të grabitemi në rrugë apo në shtëpitë, pronat e dyqanet tona. Nuk na garanton dot se nuk do të humbasim jetën në një nga ato qindra e qindra aksidente rrugore që ndodhin çdo vit në Shqipëri. Nuk na garanton dot se nuk do të na vrasin apo sulmojnë; Nuk na garanton dot se ushqimet që hamë, pijet që pimë e ilaçet që marrim nuk do të na bëjnë më shumë dëm sesa mirë. Dhe që prej pak ditësh, zbuluam se nuk na garanton dot as sigurinë e fëmijëve tanë nga monstra si ai që i mori jetën një fëmije 11 vjeçar” tha Gjermeni.

Ajo ka bërë përgjegjëse organet e rendit që nuk mundën dot të parandalojnë vrasjen e vogëlushit Julian Çela.

“Ky krim, që ne lutemi të mos përsëritet kurrë më, nuk është thjesht vepër e një mendjeje të sëmurë. Ky krim është një përgjegjësi e të gjithë shtetit, e sistemit të drejtësisë e organeve të rendit që siç ndodh rëndom në Shqipëri nuk bënë absolutisht asgjë për ta parandaluar. Qytetarët nuk mund të kënaqen e të ndjehen të sigurt me një polici e në shtet që reagon për çdo krim pas pilafit e që të vetmen ide për luftën kundër krimit ka ashpërsimet e dënimeve. Ashpërsimi i dënimit mund të jetë i drejtë, por ai nuk e kthen në jetë vogëlushin e vrarë, as ia fshin dot nga kujtesa plagët grave e fëmijëve të dhunuar, as shpëton dot jetët e humbura në aksidente.  Qytetarët do të ndihen të sigurt vetëm atëherë kur policia e organet e rendit të arrijnë të parandalojnë krimet dhe këtë gjë, duket qartë, se drejtuesit e sotëm të policisë e rendit as nuk dinë e as nuk munden ta bëjnë” shtoi Gjermeni.

Gjermeni premtoi se kur PS-ja kur të vijë në pushtet do të rivendosë rendin dhe qetësinë në vend.

“Ne besojmë se siguria e jetës është themeli i funksionimit të shoqërie njerëzore. Prandaj jemi të vendosur që brenda 300 ditëve të para të qeverisjes pas 23 qershorit të rivendosim rendin dhe sigurinë vend. Jemi të vendosur që të adresojmë njëherazi shkaqet e krimit  edhe mungesës së sigurisë së jetës edhe të garantojmë atë përmes politikave dhe programeve konkrete në Rilindjen Shqiptare. Ne jemi të bindur që parandalimi i këtyre fenomeneve, është përqasja e duhur për  të ruajtur dhe garantuar individin, për jetën e tij apo të saj, edhe që shteti të luajë rolin e tij në një shoqërie demokratike” shtoi Gjermeni.