TIRANE, 20 mars 2013- Sot në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Sali Berisha është ndalur dhe në ngjarjen tronditëse të vrasjes së një fëmije nga një pedofil.
Sipas Berishës, akti është monstruoz, por nuk mund të rikthejë dënimin me vdekje në Shqipëri, për shkak se siç theksoi kryeministri, jemi shoqëri që kërkon integrimin dhe vend anëtar i Këshillit të Europës që nuk lejon këtë dënim ekstrem.
“Do të ketë ndëshkime shumë më të rrepta për dhunën ndaj grave, fëmijëve, vrasjen e grave dhe policëve, si dhe gjakmarrjen. Janë zëra të shumtë që kërkojnë rikthimin e dënimit me vdekje, por Shqipëria është anëtare e KiE prandaj nuk mund ta ketë", tha Berisha.
Duke iu referuar paketës ligjore për ashpërsimin e disa veprave penale që do miratojë qeveria, Berisha vuri theksin tek ngjarja me pedofilin që dyshohet se ka vrarë një fëmijë dhe po tentonte realizimin e një vrasjeje të dytë. Sipas kryeministrit, as denimi me vdekje nuk e shmangu dhe as e uli kriminalitetin në shume shtete të SHBA.
“Një ngjarje që ka tronditur thellë shoqërinë shqiptare ishte akti i një mostre që ka vrare një fëmijë dhe që po përgatiste vrasjen e tjetrit, ekzekutimin e fëmijës tjetër që fatmirësisht policia me një ndërhyrje urgjente e nxorri nga kthetrat e vdekjes së kësaj monstre. Opinioni u revoltua nga kjo ngjarje tronditëse dhe kërkojnë rikthimin e dënimit me vdekje. Mirëpo Shqipëria është anëtare e Këshillit të Europës dhe vënia e dënimit me vdekje është kusht për integrimin. Asnjëra prej tyre nuk ka dënim me vdekje, sepse dënimi me vdekje bie në kundërshtim të hapur me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Në SHBA, një seri shtetesh kanë votuar heqjen e dënimit me vdekje sepse ato kanë parë se ai nuk ka patur ndikim të përfillshëm në uljen e kriminalitetit. Edhe pse revolta shpirtërore është e vrullshme Shqipëria nuk duhet të bëjë hapa, luftimi i shkaqeve të thella të kriminalitetit, padiskutim është më i mundshëm në proces, në integrim e sipër dhe në integrim të vendit”.
Kryeministri nuk mohoi se dhe për ndëshkimin e kësaj kategorie është diskutuar gjatë. “Deri në sterilizimin e tyre kimik është propozuar, do shohim të gjitha qëndrimet”
Kreu i qeverisë tha se dhe deklaratat që pas ngjarjes së rëndë shenjestrojnë policinë apo drejtësinë, janë të papërgjegjshme. “Dy fjalë duhet t’u them atyre që duke mos pasur asnjë nocion për shtetin ligjor deklarojnë si tellallër se mori fund shoqëria e mori fund shteti. Këto janë deklarata të papërgjegjshme të cilat kanë për bazë ose mllefe, ose injorancën. Një shtet, i cili ka shkallën më të lartë të zbulimit, të ndëshkimit në përputhje me ligjin dëshmon para qytetarëve se ligji funksionon. Nuk them se funksionon në mënyrë të përsosur, nuk them se nuk ka punonjës që nuk duhen vënë para ligjit për moszbatimin tij, por organet e policisë kanë sot një nga shkallët më të larta të zbulimit dhe të ndalimit të vrasësve dhe të kriminelëve. Kjo përbën një arritje jo për Policinë e Shtetit, por për çdo qytetar shqiptar. Forcat e rendit krahas përpjekjeve meritojnë respektin për punën që bëjnë. Të vësh në shenjëstër një institucion që ka në mënyrë të hapur shkallën më të lartë të zbulimit e ndëshkimit i bie se je i verbër dhe nuk jeni në dijeni si funksion shteti ligjor dhe treguesit e tij”.





