TIRANE, 20 mars 2013- Viktimat e tij nuk kanë qenë të panjohur. “Ardian Prrenjasi i studionte për disa ditë me radhë fëmijët para se t’i ftonte në shtëpi me rrengjet e tij dhe bakshishet që u premtonte”. Kështu u shprehën dje burimet nga hetimi i çështjes, të cilat thanë se monstra i Laprakës ka pasur ndonjë njohje të mëparshme së paku fizike, si me Julian Çelën ashtu edhe me 10- vjeçarin me iniciale A.C, të cilin e abuzoi seksualisht fundjavën e kaluar.
“Emrat nuk ua dinte, por i fiksonte si pamje, si fizik, si persona dhe më pas gjente momentin për t’u bërë rrengun e për t’i futur në banesë”, thanë hetuesit. Sipas tyre, ky fakt konfirmohet pasi Ardian Prrenjasi ka mësuar identitetin e Julian Çelës dy javë pas vrasjes së tij dhe, po ashtu, edhe emrin e A.C e ka mësuar mëngjesin e të dielës, ndonëse e kishte rrëmbyer qysh të shtunën në mbrëmje. Të paktën edhe dy raste të tjera abuzimi me fëmijë që rezultojnë të zhdukur, janë duke u hetuar si krime që mbajnë autorësinë e Ardian Prrenjasit.
“Kemi zbardhur pothuajse të gjitha lëvizjet e tij të banimit, pasi ka jetuar me qira që nga viti 2004 e në vazhdim, ka jetuar në Tiranë dhe në Elbasan dhe kemi të dhëna se janë zhdukur fëmijë ende të pagjetur në lagjet ku ka jetuar Ardian Prrenjasi”, thanë dje burimet zyrtare nga hetimi.
Sipas tyre, bëhet fjalë për një rast fëmije të zhdukur në Elbasan më se dy vite më parë, kur maniaku ka jetuar atje për disa muaj dhe një rast tjetër në Tiranë.





