Qëndrime kritike për këtë humbje nga shtypi shqiptar
MetalurgRustavi-Teuta 6-1
Golat: G.Tekturmanidze 14′, 19′, D.Tatanashvili 37′, 69′, R.Getsadze 59′, Mikaberidze 73′,Deliallisi65′
Teuta: Rizvani, Osmani, Da Silva, Jakupi, R.Hoxha (Devolli 61’) Sheta, Veliaj (A.Hoxha 38’), Dosti, Nika, Deliallisi, Mancaku. Trajner: H.Lika
Gjyqtarë: V.Vnuk, R.Sluk, T.Vorel (Sllovaki)
Me 5 korrik, Teuta, e sapo kthyer nga ditët bullgare të përgatitjes, nisi aventurën europiane të ballafaqimeve. Në pamje të parë kundërshtari i saj Metalurg Rustavi, përfaqësuese e futbollit modest gjeorgjian, u duk pengesë e lehtë. Madje media nxitoi ta trajtonte si mundësi e mirë e Teutës, për të vështruar nga turi i dytë. Por terreni i lojës rrëzoi këto versione, duke e vendosur ekipin durrsak në pozitat nga më të vështirat e përfaqësimeve europiane. Humbja në Durrës ishte e thellë 3-0, me një lojë pa grintë, larg të qënurit ekip nënkampion i vendit. Me 12 korrik, durrsakët u ndodhën në transfertën gjeorgjiane. Takimi u zhvillua në stadiumin e Tbilisit, pasi fusha e Rustavit me emrin Poland, ishte në rikonstruksion. Pak shikues, pak vëmendje nga opinioni vendas, kushtëzuar edhe nga rezultati i ndeshjes së parë. Edhe në takimin e dytë djemtë e Teutës luajtën dobët dhe pësuan nga humbjet më të thella të saj në angazhimet ndërkombëtare. Durrsakët pësuan 6 gola duke shënuar vetëm 1.
Komentet e agjencive të ndryshme të lajmeve, bëjnë me dije se edhe televizioni shtetëror pas pjesës së parë, e ndërpreu transmetimin e këtij takimi, duke u fokusur tek ndeshja e futbollit vendas ndërmjet klubeve Aktobes – Torpedo Kuitasi. Shumë kritik ishte qëndrimi i mediave shqiptare, që në numrat e tyre të nesërmen e takimit bënë komente nga më të ndryshmet. Gazeta Panorama Sport, nga më të përhapurat në vend në vendin kryesor të faqes së parë botonte titullin: “Turpërohet Teuta” dhe poshtë saj shtrihet nëntitulli: Durrsakët fundosen në Gjeorgji, pësojnë gjashtë gola”. Në tekstin që vijon në brendësi të gazetës, lexohet ndër të tjera: “Në këtë mënyrë nënkampionët e Shqipërisë kanë marrë një “shuplakë” të rëndë nga Metalurg Rustavi, ekipi i një qyteze metalurgjike në Gjeorgji”. Mjaft kritike tregohet edhe e përditshmja tjetër sportive Sporti Shqiptar. “Teuta skandal” është titulli kryesor i faqes së parë. Në faqen 4, komenti për ndeshjen mban këtë titull: “O zot çfarë turpi”.
Ndër të tjera shkruhet,- “…një skuadër modeste gjeorgjiane, nxjerr në shesh të gjitha dobësitë e kampionatit shqiptar. Teuta edhe pse me lojtarë që Europën e kanë mësuar që prej 13 vjetësh, është shkërrmoqur sa nuk ia vlen të shkruash më …”. Ndërsa gazeta Sport Ekpres, në numrin e saj të datës 13 korrik në shkrimin me titullin “Teuta eliminim”! Nëntitulli është:”Një “thes” me gola, për Metalurg ishte ndeshje kontrolli. Çfarë është kjo Teutë e tanishme shtrohet pyetja? Qëndrime të ashpra kritike ndaj paraqitjes së dobët së Teutës në Tbilisi, thuajse është vënë re edhe në përditshmet jo sportive që botohen në Shqipëri. Gazeta “Dyrrah” shpreh bindjen dhe sigurinë, se Teuta i ka të gjitha mundësitë të heqë imazhin e kësaj paraqitje të dobët në Europa League. Formatimi i saj i studiuar në kampionatin kombëtar që pritet të fillojë në fund të muajit gusht, do të prezantojë atë Teutë që e dëshirojnë sportdashësit e shumtë të saj.