“Marta Burda ishte një artiste shumë e zonja, një femër që diti të interpretojë në mënyrë mjaft realiste rolet e nënave shqiptare, një grua shumë e bukur, e për më tepër një aktore që nuk u shkëput asnjëherë nga teatri dhe kinematografia”. Kështu do t’i fillonte kujtimet e tij për Martën politikani dhe poeti i njohur durrsak Bardhyl Agasi.

“Megjithëse tashmë kishte dalë në pension shpirti i saj vazhdonte të jetonte me teatrin. Marta ishte si një nënë për aktoret e reja dhe nuk lodhej asnjëherë duke i mësuar, duke i qëndruar afër, duke u dhënë këshilla të vlefshme”,- kujton Agasi. E lindur në Korçë në 20 korrik 1926 karrierën e saj si aktore Marta Burda e nisi që herët, në moshë fare të re.

E rritur në një ambient me nivel mjaft të lartë kulturor; gjyshi i saj ishte atdhetari dhe akademiku Nikolla Naço, i ati Vani Burda ishte një fotograf shumë i njohur në qytetin e Korçës, poeti dhe atdhetari Hil Mosi ishte kumbari i saj, ndërsa Lasgush Poradeci dhe Kristaq Antoniu ishin miq të familjes, Marta u pikas që e vogël për talentin e saj të spikatur në interpretim. Megjithëse ishin ende vitet para luftës së dytë botërore dhe në Shqipëri mbizotëronte mentaliteti që femrën e shihte vetëm brenda 4 mureve të shtëpisë, korçarja e bukur pati mundësi të shkonte në Tiranë dhe me ndihmën e kumbarit të saj ndoqi studimet në Institutin Femëror “Nëna mbretëreshë”, ku mori një kulturë të mirë për kohën.

Ky duket se ishte hapi i parë që hodhi Marta për të dalë nga kornizat e ngurta të shoqërisë së asaj kohe, drejt emancipimit të saj dhe të shumë breza grash, që shoqëria patriarkale shqiptare i shihte vetëm në rolin e grave dhe nënave. Më pas angazhimet e saj në grupet amatore të asaj kohe do të fillonin gjatë viteve të luftës. Veterani Dhimitër Koço Grameno kujton: “Në shtator të 1943 organizuam një grup të vogël artistik. Midis pjesëmarrësve dhe ndër më të dalluarat ishte Marta, e cila më vonë u bë një artiste e denjë e teatrit shqiptar”.

Duket se rruga e korçares së bukur ishte shenjuar dhe ajo ishte mjaft e vendosur ta ndiqte atë. Menjëherë pas çlirimit të vendit Marta Burda do të ishte ndër aktoret themeluese të teatrit të shtetit, që u ngrit në vitin 1945. Bukuria e korçares brune, me sytë e mëdhenj e të thellë e ndërthurur me interpretimin mjaft dinjitoz do të ishin një magnet për publikun, që gjithnjë ka duartrokitur lojën e saj artistike. Në ato vite ajo interpretoi në disa drama si: “Për ata që janë në det”, “Procesi i Lajpcigut”, “Borgjezi fisnik” etj.

Ajo interpretoi krahas aktorëve të mëdhenj të skenës shqiptare si Mihal Popi, Naim Frashëri, Liza Vorfi, Marie Logoreci etj. Talenti i Martës spikati që në moshë të re dhe megjithëse ishte ende në fillimet e saj gazeta “Albanezul” që dilte në Bukuresht të Rumanisë do të shkruante në vitin 1945 një artikull për Burdën. “Marta Burda, e mbesa e Nikolla Naços, princeshë e teatrit dhe kinematografisë shqiptare”, shkruhej në titullin e artikullit, ndërkohë në shkrim nënvizohej se Marta “kishte një zë të ëmbël, me nuanca, që i jepnin shpesh kolorit recitativ”.

Por pjesën më të madhe të karrierës së saj artistike Burda do ta zhvillonte në teatrin “Aleksandër Moisiu”. “Erdhi në Durrës vetëm një vit pasi ishte krijuar teatri profesionist, atëherë kur ishte 28 vjeçe dhe e kaloi thuajse të gjithë jetën e saj në skenë. Ajo do të përbënte së bashku me Nikolin Xhojën, Vangjel Hebën, Spiro e Vera Urumin, Lutfi Hoxhën etj. brezin e parë të aktorëve që i dhanë jetë skenës së teatrit të Durrësit”,- thotë Bardhyl Agasi.

Ndërkohë studiuesi Josif Papagjoni, në enciklopedinë “Teatri dhe kinematografia shqiptare” do të shkruante për Burdën: “Në skenën e teatrit të Durrësit ka mishëruar shumë figura artistike, kryesisht role grash e nënash të dhimbsura, të buta, shpirtbardha, por edhe ankuese, të shqetësuara, me një dashuri të thellë e të heshtur për binjtë e tyre në hall, si në shfaqjet Mbreti Lir, Pulëbardha, Mulliri i Kostë Bardhit, Kartela e verdhë, Mirë se erdhe Elona, Dorina etj. Ky lloj tipi erdhi duke u përkryer në aktrimin e saj të ngrohtë, i pasuruar edhe me prurje të tjera, kryesisht me figura grash të paqme, me dinjitet, qëndrestare…”.

Interpretimi i Martës në skenë ishte mjaft realist. Ajo e interpretonte me mjaft dashuri çdo personazh që i besohej nga regjizorët dhe nuk kanë munguar rastet kur publiku përlotej gjatë interpretimit të saj,- kujton Bardhyl Agasi. Ndërkohë ish drejtori i Teatrit Kombëtar, Kolë Jakova, do të shprehej për Martën: Rolet e saj shquheshin për vërtetësinë, talentin dhe interpretimin artistik

Pikërisht në rolet e nënave, Marta korri duartrokitjet më të zjarrta të publikut. “Interpretimi i Martës në skenë ishte mjaft realist. Ajo e interpretonte me mjaft dashuri çdo personazh që i besohej nga regjizorët dhe nuk kanë munguar rastet kur publiku përlotej gjatë interpretimit të saj”,- kujton Bardhyl Agasi. Ndërkohë ish drejtori i Teatrit Kombëtar, Kolë Jakova, do të shprehej për Martën: “Rolet e saj shquheshin për vërtetësinë, talentin dhe interpretimin artistik”.

Emocionet e forta që përcillte Marta përmes interpretimit të saj i nënvizon edhe drejtoresha e bibliotekës publike të Durrësit, Flora Dervishi, e cila kujton se ndërsa aktorja interpretonte një poezi të saj, “Një vit pas eksodit”, shumë nga zonjat e pranishme në takim u përlotën. Sipas Dervishit ky ishte interpretimi i fundit i Martës, aktores që iu përkushtua teatrit me mish e me shpirt si shumë aktorë të tjerë të brezit të saj.

“Muajin e fundit para se të ndahej nga jeta, kur ndodhej e shtruar në spital, ajo vazhdonte të ishte sërish e fortë, po grua e vendosur që e njihja prej kohësh. Ndërsa e kishte kuptuar se po jetonte ditët e fundit të jetës ajo përpiqej të ishte e fortë për vajzën e saj, Rebekën, dhe dy mbesat e dashura. Marta ishte një gjyshe mjaft e dashur dhe në vitet e fundit unë e mbaj mend përherë nën shoqërinë e mbesave të saj që vazhdonin studimet në shkollën e muzikës “Jan Kukuzeli”. Ajo i inkurajoi ato drejt rrugës së artit, ashtu siç kishte bërë me shumë artiste të reja”,- thotë Agasi.

Por krahas dashurisë së madhe për të afërmit e saj në të njëjtën kohë Marta ishte mjaft e dashur dhe e afruar me njerëzit. Pas çdo shfaqje ajo nuk nguronte t’i pyeste të njohurit dhe jo vetëm sesi u ishte dukur interpretimi i saj dhe dëgjonte me mjaft vëmendje qoftë kritikat, qoftë edhe fjalët e mira. Disa nga rolet e saj më të spikatura janë Ana Valter, Mis Elisa, Katerina Ivanovna, Irina Pavllovna, Nica, nëna kosovare etj. Por krahas teatrit një pjesë e mirë e karrierës së Marta Burdës është zhvilluar në kinematografi.

Edhe në ekranin e madh të kinemasë, ashtu si në teatër Burda është shfaqur kryesisht në rolin e nënave tek filmat: Zani Partizani, Balonat, Në shtëpinë tonë, Agimet e stinës së madhe, Zëvendësi i grave etj. Pas plot 50 viteve në skenë, Marta Burda numëron rreth 150 role në teatër dhe kinematografi. “Por krahas talentit të saj artistik Marta Burda dha shumë gjatë jetës së saj edhe në drejtim të emancipimit të gruas shqiptare. Me shembullin e saj ajo inkurajoi mjaft femra drejt rrugës së artit, në një kohë kur shoqëria shqiptare ishte mjaft e mbyllur dhe mentaliteti patriarkal rëndonte mjaft mbi kurrizin e grave shqiptare”,- thotë Agasi. Marta Burda u nda nga jeta në vitin 1995, në moshën 69 vjeçare.

Për kontributin e saj shumë vjeçar në skenën shqiptare Presidiumi i Kuvendit Popullor i dha në 15 shtator 1988 titullin “Artiste e merituar”. Ndërkohë në vitin 2003, Këshilli Bashkiak i qytetit tonë i akordoi titullin “Qytetar nderi” me motivacionin: “Një nga aktoret e para të Shqipërisë që ka themeluar Teatrin Kombëtar, vajzë e një prej familjeve më të vjetra e patriotike të qytetit të Korçës. Ka interpretuar me nivel dhe talent të rrallë mbi 150 role kryesore në skenën shqiptare nga fillimet e veprimtarisë artistike në grupet e rinisë antifashiste (shtator 1943) e gjatë më shumë se 50 viteve duke dhënë figura të paharruara artistike në teatër e kinematografi”.