Reperi Rigels Rajku, i njohur me emrin e artit Noizy”, ka dëshmuar në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) në procesin gjyqësor ndaj Laert Haxhiut, lidhur me episodin e vënies së tritolit në biznesin e tij në Durrës në vitin 2022.

Noizy theksoi se natën e shpërthimit ndodhej në pallatin ku ishte vendosur eksplozivi, ndërsa ngjarjen e mësoi pasi u zgjua në mëngjes dhe pa dëmet e shumta të shkaktuara. Sipas tij, dyshimet e para e çuan në një konflikt që kishte pasur një ditë më parë me Kleviol Ahmetin, për të cilin tha se prej vitesh e kishte shqetësuar përmes fyerjeve dhe kërcënimeve në rrjete sociale.

“Një hamendësim e kisha se kush e kishte bërë. Më ndodhi një problem një natë përpara te një tjetër lokal që kam në Durrës, me një person që është i fiksuar, sjelljet e një fansi të fiksuar… Po nuk i dhe vëmendje bëhet agresiv dhe sjell problemin deri tek shtëpia.”, tha Noizy.

Reperi tregoi se Ahmeti kishte shkuar në lokalin e tij një ditë para shpërthimit, i shoqëruar nga rreth 20 persona dhe disa automjete, duke shkaktuar një konflikt fizik. Më tej, artisti pretendoi se pas kësaj ngjarjeje iu dogj edhe një automjet.

DËSHMIA E NOIZYT NË GJKKO:

Kam dijeni për vendosjen e lëndës plasese në Durrës. Kam qenë në të njëjtën pallat ku u vendos ekspozivi, kam patur dritaren hapur. Kam qenë në gjumë , dëgjova shpërthimin dhe më doli gjumi kuptova që diçka ndodhi. Zbrita poshtë dhe kuptova që ishte vendosur një eksploziv. Më doli gjumi zbrita poshtë, ishte babi im poshtë, motra po ashtu mund të ketë ardhur, mamin e mbaj mend. Tritoli u vendos në katin e parë të pallatit ku qëndroja. Prindërit jetojnë në të njëjtin pallat, por në një kat më sipër. Kur zbrita, ngjarja kishte ndodhur rreth orës 03:00-04:00, unë u zgjova në orën 09:00.

Ishin shkatërruar xhamat e lokalit dhe të dyqanit poshtë. Kam një firmë rrobash dhe një lokal, të dy pronat janë të miat. Pashë komshinjtë, polici pa fund dhe kishte plasur një tritol. Hyrja ishte komplet e shkatërruar dhe në kat të parë dhe në kat të dytë. Ishte shkaktuar një gropë e madhe në tokë nga sasia e tritolit. Ishte thyer mermeri komplet. Një hamendësim e kisha se kush e kishte bërë. Më ndodhi një problem një natë përpara te një tjetër lokal që kam në Durrës, me një person që është i fiksuar, sjelljet e një fansi të fiksuar… Po nuk i dhe vëmendje bëhet agresiv dhe sjell problemin deri tek shtëpia. Kur shan dhe kërcënon në rrjetet sociale ai të vjen dhe deri tek shtëpia. Kleviol Ahmeti është personi, sharjet që nga 2019 nuk janë ndalur asnjëherë. Njohje me Kleviolin nuk kam patur asnjëherë, as bashkëpunime. Është i fiksuar me mua, kërkon me se sbën vëmendjen time. Do të bëhet shok me mua, ndërkohë që unë nuk dua të bëhem shok me të. Nuk ta shpjegoj dot nivelin e fiksimit të atij me mua. Nuk e di a e njihni, por del në TikTok dhe shan të gjithë botën. Ai e ka kuptuar që merr vemendje kur përmendet “Noizy” dhe nuk e ka ndalur asnjëherë këtë gjë.

Është një i çmendur pas meje. Më erdhi në lokal një ditë përpara shpërthimit për t’u sqaruar demek, vjen me 20 vetë. Fjala e parë që thotë është “Ku është ai legeni”. Futet brenda, dalim jashtë dhe pastaj ndodh një konflikt fizik te shkallët e lokalit. Të nesërmen ndodhi tritoli. E kam takuar më përpara, ka ardhur me një shokun e vet për tu sqaruar kur unë isha me familjarët e mi. Kur dolëm nga lokali filloi prap avazin duke më sharë.

I thotë vetës artist, ka bërë disa këngë. Ai bën shumë gjëra, por nuk bën asgjë. Ishte live Tik Tok gjatë gjithë kohës, tregonte armë në video, e dija që po vinte. Nuk njihja askënd nga ata që shoqërohej Klevioli. Erdhën me makina, me 5 të tilla. U largua me makinë pastaj, ishte pasagjer. Prezenca e tij në pronën e tij duke më ofenduar mua, sharjet, u bënë shkak për nxitjen e konfliktit. Erdhi brenda dhe më tha “Do të qëroj o pederast”.

Kur erdhi në pronën time, unë e godita i pari, konflikti ndodhi disa sekonda. Pas kësaj ngjarje, ai më dogji edhe një automjet. Ai e ka gjyqin akoma hapur dhe nuk e di si ka dalë nga burgu. Iku në Dubai pagoi disa çuna nga Vlora dhe më dogjën makinën. Nga ana ime nuk ka situatë konfliktuale, nga ana e tij po. Për Laert Haxhiun nuk kam dëgjuar ndonjëherë, e dëgjova emrin e tij më mbrapa para 3 vitesh. E dëgjova kur u bë publik rasti im.