Akuzat e opozitës lidhur me trafikun e armëve kreu i qeverisë, Sali Berisha i cilësoi shpifje dhe teatër. Ai tha se qeveria nuk pengon asnjë nisme hetimore. “Garantoj se kjo mazhorancë nuk pengon dhe një nismë të vetme të parlamentit. Është i qartë si kristali, por këtyre zotërinjve nuk u intereson hetimi, por teatraliteti, të nxijnë dhe damkosin një nga institucionet nga më të respektuarit për shqiptarët, siçështë Ministria e Mbrojtjes. Këtyre nuk u intereson të sjellin projekte nga komisioni parlamentar dhe nuk mund të ketë mëdyshje, por u intereson të akuzojnë dhe shpifin pa baza se po bëhet trafik armësh. Në mënyrë absolute, kategorike nuk ekziston qoftë dhe një fishek i trafikuar nga ky vend.
Proçedurat e tregtisë së armëve janë plotësisht transparente. Opozita nuk kërkon kontroll parlamentar, por teatralitet para mediave”. Duke u ndalur në çështjen tjetër të debatuar, përgjimin e opozitës, Berisha tha se këto akuza vijnë edhe si pasojë e sindomës së kryetarit të saj. “A mund të udhëhiqet një parti nga obsesione të tilla? Ushtria shqiptare ka zbatuar dhe zbaton rregullat e saj si një institucion i depolitizuar. Këto vijnë nga një njeri që çdo ditë kthen kolltuqet se mos i kanë vënë ndonjë përgjues, bashkëpunëtorët e tij dhe jo të tjerët”. Berisha mohoi të kishte çdo lloj praktike përgjimi, ndërsa shtoi, se Shqipëria në përputhje me ligjet e vendit dhe ndërkombëtare ka edhe eksporte minimale të fishekëve, gëzhojave, dhe kjo nuk duhet t’u serviret shqiptarëve si një veprimtari trafiku.