Edhe pse ka një muaj që nuk është më në atë detyrë, posti i zv/rektorit të universitetit publik të Durrësit rezulton të mbahet nga Arben Dushi. Në faqen zyrtare të universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, por edhe në ambjentet e tij Prof.As.Dr. Arben Dushi prezantohet si zv/rektori aktual për Anën Mësimore, krahas zv/rektorit tjetër Sofokli Garo për Kërkimin Shkencor.
Mospërditësimi i faqes zyrtare të këtij institucioni akademik nuk reflekton ndryshimet duke përcjellë informacion të gabuar, po dhe të munguar mbi drejtuesit e universitetit, këtij institucioni të rëndësishëm në jetën e qytetit, që synon të përgatisë elitat e së nesërmes në Durrës dhe më gjerë, pavarësisht problematikës që sjell inflacion studentësh dhe pedagogësh. Në faqen e universitetit në internet, faqe që prezanton zyrtarisht këtë institucion dhe organizimin e tij, përfshirë dhe informacione të tjera të vlefshme për pedagogë, studentë dhe të tjerë të interesuar mungon informacioni dhe për rektorin e zgjedhur me votën e stafit akademik dhe studentëve.
Gjithkush mund të besojë në një harresë të paqëllimtë apo e kundërta, i rëndësishëm mbetet saktësia dhe shembulli pozitiv që duhet përcjellë në këtë drejtim. Jemi në vitin 2012 dhe vendi në moshën e internetit dhe deri në fshatrat më të largëta…
Më 28 shtator, afro gjashtë muaj pas emërimit në postin e zv/rektorit të Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit Arben Dushi u shkarkua me kërkesë të rektorit dhe vendim të Senatit të këtij universiteti. Ndonëse rival në garën zgjedhore për kreun e universitetit, rektori Mit’hat Mema e zgjodhi Dushin, pak kohë pas përfundimit të zgjedhjeve, si krahun e tij të djathtë.
E ndërsa për Dushin që nuk pranoi dorëheqjen e propozuar, shkarkimi u bë pasi dy titullarët nuk ndanin të njëjtat vlera dhe vizion për universitetin, për rektorin Mema i shkarkuari nuk justifikoi besimin e dhënë në përmbushjen e funksionit. Në fund të muajit shtator me propozim të rektorit, Senati miratoi pedagogen dhe avokaten Brunela Kullolli në postin e zv/rektores, pozicion i mbajtur deri në atë kohë nga Dushi, që vazhdon të jetë pedagog në një nga fakultetet e universitetit.