Draftin e hedhur për diskutim nga Qeveria që synon unifikimin e administratës tatimore PS-së e ka quajtur kopjimin e radhës të programit "Për një Rilindje Kombëtare". “Kryeministri kishte 7 vjet kohë për ta unifikuar administratën tatimore. Mesa duket po e bën tani që e lexoi programin”,- theksoi Ahmetaj. Sipas tij ky program heq nga qafa e biznesit një pjesë të xhandarëve tatimorë.
"Mirë bën që kopjon. Por ne i rekomandojmë të kopjojë pjesën kryesore që lidhet me krizën e sotme ekonomike të familjeve të vetëpunësuara në biznesin e vogël. Të heqë urgjent taksën e biznesit të vogël. Sepse 166 mijë shqiptarëve po u merret fryma nga kjo taksë mbytëse. Me këtë masë jetike u kthen këtyre njerëzve punëtorë të mbërthyer nga kriza 30 milionë dollarë. Ta bëjë sot, pa humbur kohë, pa e lejuar që zinxhiri i falimentimeve të përpijë mijëra biznese të vogla e të flakë në rrugën e papunësisë dhjetëra mijëra njerëz të tjerë që s’paguajnë dot më qeratë e dyqaneve. Kopjimi me copa i programit tonë për Rimëkëmbjen e Ekonomisë nuk mjafton. Përkundrazi, kopjimi i keq dhe i copëzuar, i bazuar në modelin e kaosit të Sali Berishës mund të sjellë më shumë dëme se përfitime", tha Ahmetaj.
Deputeti Ahmetaj përsëriti strategjinë që do ndjekë PS në lidhje me sistemin tatimor. "Do ta bëjmë zero taksën e biznesit të vogël. Do ta përqendrojmë në një pikë administrimin tatimor. Do ta çlirojmë biznesin nga gjobat dhe gjobëvënësit që i vijnë nga të katër anët. Do ta bëjmë sipërmarrësin shembullin më të mirë për shoqërinë në luftën kundër papunësisë. Viti 2013 është viti i ndryshimit. Viti 2013 hapë rrugën e Rilindjes së Ekonomisë",- tha Ahmetaj.