Stafi elektoral i presidentit Obama ka “hedhur” në fushën e betejës kundër kandidatit Mitt Romney dy bukuroshe hollivudiane. Bëhet fjalë për Scarlett Johansson dhe Eva Longoria që kanë dalë kundër kandidatit republikan për çështjen e abortit. Mbështetja e Johansson dhe Longoria kundrejt Obamës u dëshmua qartë edhe gjatë konventës së demokratëve, kur ato u ngjitën në podium për t’i ftuar zgjedhësit të votonin presidentin me ngjyrë.
Tashmë dy aktoret shfaqen në një spot elektoral të regjisorit Rob Reiner, që është transmetuar në shkallë kombëtare, madje edhe në shtete që janë kthyer në fushë beteje si Kolorado dhe Virxhinia. Spoti i shkurtër transmetohet gjatë programeve që i drejtohen elektoratit femëror. Mesazhi është se një votë për Romneyn është një votë kundër të drejtave të grave.
“Republikanët po kërkojnë të ripërcaktojnë dhunimin”, thotë Johansson, ndërsa Longoria kritikon Romney-n se ka kërcënuar me shkurtime fondesh organizatën Planned Parenthood, përfshirë këtu fondet për ekzaminimet kundër kancerit. Në këto muajt e fundit të fushatës presidenti Obama ka marrë mbështetje të shumë yjeve botërorë të kinematografisë dhe muzikës, mbështetje që u tregua edhe në donacionet e mëdha që u mblodhën gjatë mbrëmjeve gala.