Për 20 vjet me rradhë femrat ishin përjashtuar nga drejtimi i debateve televizive mes kandidatëve për president të SHBA-së. përjashtimi kishte ardhur pas justifikimit se gjoja femrat nuk ishin aq të zonja dhe nuk kishin autoritet të mjaftueshëm për t’i mbajtur nën kontroll dy rivalët.
Por duket se fushata e sivjetshme elektorale i theu këto tabu. Pas dy dekadash, një femër rikthehet të bëjë moderatoren e debatit të dytë mes Obamës dhe Romney dhe ia del me sukses duke rrëzuar kështu skepticizmin e analistëve. Kjo detyrë e rëndësishme iu besua Candy Crowly, drejtoreshës së departamentit të informacioneve politike në CNN. Duket se Crowly në këtë sipërmarrje të re pati dy arsye të forta që e mbështetën; performanca e mirë e gazetares Martha Raddatz, që drejtoi debatin mes kandidatëve për zv/president mes Joe Bidden dhe Paul Ryan si dhe kritikat e ashpra në adresë të prezantuesit veteran Jim Lehrer, i cili drejtoi debatin e parë.
Pas reagimit të ashpër të demokratëve dhe republikanëve ndaj moderatorit që në të shkuarën kishte moderuar plot 12 debate presidenciale analistët vendosën për një moderatore femër. Duket se mendimi i tyre u ndikua edhe nga protesta dhe nisma e tre 17-vjeçareve amerikane Sammi Siegel, Emma Axelrod dhe Elene Tsemberis, të cilat mobilizuan një fushatë të paprecedentë duke grumbulluar 180 mijë firma në favor të kërkesës së tyre që debati i dytë Obama-Romney të drejtohej nga një femër.