Deputeti demokrat, Osman Metalla, fajëson pushtetin lokal për problematikat e konstatuara në zonat turistike të Durrësit
Deputeti i PD-së, Osman Metalla, ka akuzuar Bashkinë e Durrësit se nuk po menaxhon si duhet sezonin turistik. Sipas tij situata është bërë tepër shqetësuese, duke parë se nuk po realizohen disa prej kërkesave më të rëndësishme që shkojnë në funksion të mbarëvajtjes së sezonit turistik. Sipas tij prezantimi dhe miratimi me vonesë i buxhetit ka dhënë efektet e veta, por nga ana tjetër edhe papërgjegjshmëria e pushtetit lokal për të mirë menaxhuar sezonin turistik ka ndikuar në këtë drejtim. Më tej Metalla do të komentonte dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore.
Cili është vlerësimi juaj për mënyrën se si po menaxhohet sezoni turistik në Durrës?
Sezoni turistik tashmë ka nisur dhe kjo gjë është evidente po të vëzhgosh qytetet bregdetare që gjithnjë e më shumë gjatë fundjavave, dhe jo vetëm, po bëhen gjithnjë e më të frekuentuara. Natyrisht që duke parë dhe peshën që turizmi zë në ekonomine e vendit, kuptohet dhe rëndësia e tij. Qeveria qendrore ka marrë të gjitha masat për përgatitjen e një infrastrukture sa më të përshtatshme në mënyrë që numri i turistëve ashtu sikurse ka ndodhur në të gjithë këto vite të shënojë dhe këtë vit një numër rekord vizituesish. Nuk janë të rastësishme dhe vetë rekomandimet që të përditshmet më në zë ndërkombëtare i bëjnë qytetarëve të vendeve të tyre duke rekomanduar Shqipërinë si një nga vendet e renditura në listën e dhjetë destinacioneve më të rekomanduara për të bërë pushimet, si një vend që ofron bukuri natyrore të mrekullueshme, ofron mikpritjen tradicionale shqiptare, si dhe ofron shërbime me çmime mjaft konkuruese nëse këto do të krahasohen me ato të rajonit.
Ndonëse nga ana e pushtetit qendror është punuar mjaft për përmirësimin e imazhit të vendit, për bërjen e reformave, luftën kundër krimit të organizuar dhe atij ordiner, si dhe korrupsionit, mendoj se nuk kemi të njëjtën përgjigje nga ana e drejtuesve të pushtetit vendor përsa i përket marrjes së masave lidhur me krijimin e kushteve sa më të mira dhe marrjen e masave efikase për pritjen sa më të mirë të pushuesve. Shikoni në Durrës se çfarë po bëhet me plazhet publike dhe private, shikoni se çfarë po bëhet me rojet bregdetare që janë kompetencë e Bashkisë, shikoni se sa probleme ka me vënien në funksion të dusheve publike, banjove etj. Ndoshta në këtë drejtim ka ndikuar edhe miratimi me vonesë i buxhetit të Bashkisë së Durrësit, por mendoj se është dhe mos funksionim i strukturave të pushtetit lokal. Si mund të kemi një sezon turistik të suksesshëm, kur bashkia e qytetit më të madh bregdetar të vendit, ajo e Durresit, nuk ka marrë as edhe një masë serioze për sezonin e ri turistik.
A mendoni se vërtet Shqipëria do të jetë këtë sezon një atraksion interesant dhe për turizmin perëndimor, kur ka akoma shumë probleme?
Sot imazhi i vendit ka ndryshuar. Dikur kur përmendej emri i Shqipërisë menjëherë të shkonte mendja tek trafiku, krimi i organizuar në një kohë që tashmë kur permendet emri i Shqiperisë, menjëherë ai i huaj që e dëgjon mendon, po është një destinacion i preferuar për të shkuar dhe pushuar. Falë zotit ia arritëm ta ndryshojmë atë imazh mjaft të keq që kishte vendi, edhe pse na u desh që të luftonim fort krimin e organizuar dhe trafiqet, ja arritëm edhe pse na u desh që të punonim fort për të pastruar vendin, dhe për këtë nuk u desh që të pastronim vetëm plehrat urbane, por na u desh të pastrojmë dhe baltën që zoti Rama hodhi mbi institucionet dhe reformat. Nuk është rastësi që sot vendi është destinacion i preferuar turistik në sajë të gjithë këtyre punëve që kjo qeveri ka bërë. Gjithçka pozitive që është arritur ka ardhur në sajë të të gjithë reformave që ne kemi ndërmarrë dhe po vazhdojmë të ndërmarrim.
Ju keni qenë tepër aktiv në Kuvend dhe përsa i përket reformës zgjedhore. Ku ka konsistuar thirrja juaj për opozitën?
Kuvendi ka dhe një detyrim tjetër mjaft të rëndësishëm, atë të përmbylljes me sukses të reformës zgjedhore dhe asaj parlamentare. Nuk dëshiroj të kthehem shumë në kohë, por le të kujtojmë pak çfarë ndodhi në vitin 2007. Për disa muaj me radhë lideri i opozitës mbajti peng reformën zgjedhore. Megjithëse ju la dorë e lirë për të propozuar gjithçka donte dhe reforma u bë krejtësisht në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODHIR, përsëri lideri i opozitës u shpreh i pakënaqur me zgjedhjet. Natyrisht sepse i humbi ato. Çfarë ndodhi në 2009? Ishte përsëri po i njëjti kod zgjedhor, i cili ishte miratuar me të gjithë propozimet e opozitës. Më tej u bë një hap mjaft i madh përpara me regjistrimin e zgjedhësve, si dhe me kartat e identitetit. Nuk u la gjë pa bërë e thënë për këto karta, duke thënë se po u vihej taksa e votës shqiptarëve, duke thënë që janë të pasigurta etj.
Kur në fakt rezultoi të ishin dokumenta nga më cilësoret dhe më të sigurtat për vetë teknologjinë e tyre dhe të dhënat biometrike që ato përmbajnë. Megjithëse nga të gjithë faktorët vendas dhe të huaj këto zgjedhje u vlerësuan, u çertifikuan dhe u pranuan si zgjedhje me standarte të përmbushura. I vetmi që nuk i pranoi ishte humbësi. Për dy vite me radhë mbajti peng Kuvendin e Shqipërisë, mbajti peng reformat integruese, mbajti peng të gjithë shqiptarët. Po të mos ishte liberalizimi i vizave vetëm një proçes teknik, sot shqiptarët, me atë bllokim që i bëri z. Rama Kuvendit dhe reformave, natyrisht që do të vazhdonin të ishin të izoluar si në kohën e Enverit. Të mos pranosh humbjen do të thotë të mos pranosh principin e demokracisë. Njohja e verdiktit te shumicës natyrisht që përbën thelbin e demokracisë. Edi Rama duhet të bëhet burrë dhe të dalë mbi interesat e tij personale dhe të bëhet bashkëpunues, jo për interesin e mazhorancës, jo për interesin e qeverisë, por për interesin e të gjithë atyre qytetarëve shqiptarë të cilët presin nga kjo klasë politike që ta çojë vëndin përpara, që ta integrojë vendin në Bashkimin Europian.