Me teknologjinë e përparuar që po projektohet nuk do të jetë e largët dita kur, megjithëse do të jemi në timon, nuk do të kemi nevojë të përqendrohemi në drejtimin e automjetit
Drejtimi i automjetit aq sa të fal kënaqësi, aq edhe të streson ndonjëherë, prandaj secili prej nesh do të dëshironte që të paktën për një herë të vetme ndërsa është në timon të mos jetë i përqendruar tek drejtimi i automjetit, tek shikimi i pasqyrave, shtypja e pedalit të gazit e frenave etj. Për të bërë realitet këtë dëshirë tuajën ka menduar kompania e prodhimit të automobilave, Volvo.
Drejtori teknik i saj, Erik Coelingh, thotë se sistemi i ri i drejtimit, i ndërtuar nga kompania suedeze, garanton që automjeti të kontrollohet totalisht në mënyrë automatike. Sistemi i ri duhet të shihet si një sistem navigimi automatik që ndjek makinën që ka përpara, frenon në vendin tënd dhe shton shpejtësinë apo e ul atë vetë pa ndikuar drejtuesi i automjetit në këtë proçes. Kështu duart nuk janë të impenjuara në timon, këmbët nuk duhet të rrinë domosdoshmërisht tek pedalia e gazit apo frenave, pra me pak fjalë ju mund të relaksoheni, të lexoni gazetën, të punoni në kompjuter etj, gjëra që do mund t’i bënit vetëm nëse do të kishit të punësuar një shofer personal.
Teknologjia e përdorur në këtë rast njihet me emrin Road Train System dhe personi që drejton vargun e automjeteve është një shofer profesionist. Në momentin që vihet në lëvizje vargu i automjeteve, të gjitha makinat ndjekin lëvizjet e automobilit drejtues. Kjo gjë realizohet përmes një sistemi elektronik i përbërë nga telekamera dhe radar. Tom Robinson, drejtori i këtij projekti, thotë se i gjithë sistemi është bazuar në teknologji. Pa realizuar lidhjen virtual mes automjeteve një gjë e tillë nuk do të ishte e mundur. Për këtë arsye nevojitet një system wi-fi që shërben për të realizuar lidhjen mes automjetit që drejton dhe të tjerëve që e pasojnë.
Pa këtë lidhje nuk do mund të realizohej sistemi i komandimit. Road Train System është një prototip i një projekti europian që synon të reduktojë harxhimin e karburantit dhe njëkohësisht t’i bëjë rrugët një vend më të sigurt. Megjithëse në të ardhmen do të jetë e nevojshme sigurimi i lejeve ligjore dhe administrative për lëvizjen e një grupi të tillë automjetesh, tani për tani disa teknologji që lidhen me drejtimin automatik mund të vihen në përdorim nga drejtuesit e automjeteve. Projekti i realizuar nga Volvo është vënë në zbatim në rrugë përreth një orë dhe makinat mbanin një largësi prej disa metrash nga njëra tjetra. Prova rezultoi e suksesshme. Kështu ndoshta nuk do të jetë e largët dita, kur gjatë kohës që ngasim makinën të merremi me veprimtari të tjera dhe drejtimin e saj t’ia lëmë në dorë teknologjisë.