Pas përfundimit të kampionateve të futbollit dhe të lojërave me dorë, në këtë stinë të nxehtë sporti i notit është prioritar. Trajneri i Teutës, Agron Ismailati, tregon që është në pikun e përgatitjeve. Stërvitjet janë bërë të përditshme në kompleksin e pishinave Gjoka, në Katër Rrugët e Shijakut. “Do të ishte mirë,- komenton Ismailati,- që stërvitjet të kryheshin në pishinat 50 metërshe dhe jo 25, sepse garimet janë në dimensionin e parë. Kemi filluar stërvitjet edhe në Tiranë, pasi Kupa e Shqipërisë në not zhvillohet në akuadromin e Tiranës. Me nxitjen e sekretarit të klubit shumësportesh “Teuta” Emiljan Jani, është mbushur edhe pishina e qytetit, pasi ajo ka gjatësinë e duhur, 50 metra. Ky interesim është një nxitje tjetër, që motivon notarët për të plotësuar objektivat e përcaktuara”. Teuta vitet e fundit është fituese e dyfishtë e të gjitha veprimtarive kombëtare të notit, si për djem ashtu edhe për vajza.
Madje në shumë veprimtari të hapura ndërkombëtare, përfaqësuesit e notit durrsak janë matur me dinjitet me homologët e tyre të shteteve të tjera. Po cilët janë protagonistët e garave të Kupës së Shqipërisë që zhvillohet me 4-5 korrik në Tiranë? Ekipi i vajzave përbëhet nga Suila Kosova, Shirli Myrta, Klaudia Sulkja dhe Laria Ceka. Kosova është në garat e saj të preferuara 400 dhe 800 m stil i lirë, ndërsa Myrtja në 50, 100 dhe 200 m stil shpinë. Klaudia Sulkja është përgatitur të konkurojë në 50 dhe 100 m stil i lirë. Supriza duket se do t’i takojë në këtë edicion të Kupës, 14 vjeçares Laria Ceka. Krahas 50 m stil i lirë, Ceka do të provojë aftësitë edhe në 50 dhe 100 m stil bretkocë. Të katër vajzat përfaqësojnë Teutën edhe në stafetat. Me djemtë ndonëse pritet një konkurencë e fortë, bindja për të sjellur trofeun në Durrës është tejet e madhe. Kneo Laçi, Jurgen Fici, Jurgen Hoxha, Igert Masha, Enea Zhupa dhe Johan Dhimgjini është ekipi përfaqësues i Teutës.
Kneo Laçi është i gatshëm të mbetet i pari në 50, 100 dhe 200 m stil bretkocë, ndërsa Fici në këto distanca, por në stilin e lirë. Jurgen Hoxha, krahas stilit të lirë, starton edhe në 50 m delfin. Me interesim priten edhe garat e notarit të talentuar 15 vjeçar Enea Zhupa. Krahas delfinit, Zhupa teston forcat e tij edhe në 100, 200 dhe 400 m stil i lirë. “Ndonëse është gara e parë e sezonit, jam i bindur se notarët e Teutës, do të bëjnë një paraqitje mjaft të mirë në konkurencë me bashkëmoshatarët e tyre të ekipeve të tjera pjesëmarrëse. Pas kësaj, synojmë të rifitojmë edhe titullin kampion”, shprehet për “Dyrrah” trajneri Agron Ismailati.