Ndërsa afati kohor për zgjedhjet e 6 nëntorit afrohet gjithnjë e më shumë, stafet respektive të kandidatëve në garë për kreun e Shtëpisë së Bardhë po shtojnë tentativat e tyre për të mbledhur sa më shumë votues rreth Obamës apo Romneyt. Duket se më në ankth është stafi i presidentit aktual, pasi dështimi në debatin e parë televiziv i dha mundësi rivalit të tij të ecte përpara në sondazhe, madje edhe ta kalonte presidentin me ngjyrë.

Për këtë arsye stafi i Obamës është përqendruar në një fushatë të gjerë në rrjetet sociale, veçanërisht në Facebook.  Obama ka pasur një dallgë të vërtetë “pëlqimesh” në Facebook, falë një fushatë të mirëkoordinuar të medias sociale. 

Ekipi i tij ka paguar që “lajme të sponsorizuara” të shfaqen në njoftimet e disa përdoruesve, pavarësisht nëse ata kanë pranuar t`i marrin apo jo. 
Faqja e Presidentit shënoi një milionë “pëlqime” në një ditë të vetme, krahasuar me 30.000 në ditë që kishte marrë javët e mëparshme. Disa vëzhgues megjithatë druhen se një qasje e tillë mund t`i shqetësojë votuesit e ndoshta dhe t`i bëjë të ndërrojnë mendje. Ky zhvillim vjen në një kohë kur si shefi i Shtëpisë së Bardhë, ashtu edhe kandidati republikan po i shtojnë përpjekjet e tyre për shtrirje në median sociale. 

Kundërshtarët kanë që të dy një prezencë të rëndësishme në komunitetet dixhitale, përfshirë ndërhyrjen në shërbimin muzikor Spotify, rrjetin e përhapjes së imazheve, Pinterest si dhe Instagramin, ku Romney ka qënë mjaft i zënë së fundi duke postuar foto të tij në shtëpi me familjen.