Është promovuar në Durrës vepra “Xhevahir Spahiu, sfidat e poetit” me autor Nuri Dragoj. Publicisti, studiuesi dhe krijuesi Dragoj ka punuar shumë për të ndërtuar një vepër të një lloji të veçantë, e cila krahas analizës, vlerësimeve, komenteve dhe studimeve për poezitë e poetit me përmasa të njohura dhe shumë të vlerësuara kombetare, sjell edhe shumë episode nga jeta krijuese dhe intelektuale e Xhevahir Spahiut.

Kryetari i shoqatës “Tomorri” Hajri Nuhu bëri një ekspoze të punës tejet cilësore të bërë nga Dragoj. Nuhu theksoi se libri është i veçantë për një njeri të veçantë, një libër jo i zakonshëm për një poet të jashtëzakonshëm. Shoqata “Tomorri” e ka zgjedhur poetin President Nderi dhe i ka kushtuar interesim të përhershëm të gjitha botimeve brenda e jashtë vendi që mbajnë emrin e Xhevahir Spahiut.

Libri nis me një parathënie të shkruar nga Dritëro Agolli i cili shkruan ndër të tjera se “në autostradën e poezisë Xhevahiri është një gur kilometrazhi që tregon drejtimin e duhur e në gjerdanin e poezisë është një gur xhevahiri që shkëlqen”. Publicisti Nuri Dragoj ka hulumtuar shumë për të ardhur deri në ditën e botimit të “Sfidat e poetit”.

Atij i është dashur të shfletojë nga e para një për një të gjitha poezitë e poetit si dhe të futet në dhjetëra e dhjetëra shtëpi, klube shkrimtarësh e poetësh, kujtime të bashkëkohësve, arkiv etj. për të mbledhur detaje që lidhen me jetën e poetit, me sfidat që e kanë vënë atë në tehun e mbijetesës, me rebelimet, të thënat e të pathënat.

“Xhevahir Spahiu mori jetë atje ku qëndrojnë perënditë, atje ku njeriu mat veten me malet, ku kuvendon me hyjnitë…”,- shkruan autori i librit të mbushur me episode të panjohura ndonjëherë për jetën e poetit. Dragoi për herë të parë sjell materiale faktike e kryeneçe, të cilat kanë të bëjnë me formimin intelektual, poetik dhe atdhetar të poetit. Në tre kapitujt dhe në 413 faqet e librit lexuesi do të befasohet kryesisht për këndvështrimin e interpretimit të krijimtarisë së poetit nga publicisti Dragoj, por njëherësh ky lexues për të parën herë do të mësojë se si u përball me sfidat e kohës Xhevahir Spahiu, sfida që e kanë çuar deri në pragun e një gremisje të rëndë e të madhe.

Në aktivitetin e organizuar nga shoqata “Tomorri” kanë marrë pjesë deputetët Nasip Naço e Lefter Koka si dhe anëtarë të shoqatës së bashku me shumë intelektualë e adhurues të poetit. Poeti Xhevahir Spahiu ka kapërcyer kufijtë kombëtarë me veprën e tij, pasi vëllimet e tij poetike janë botuar në disa gjuhë të botës. “Sfidat e poetit” është pritur mjaft mirë nga lexues të rregullt të poezisë dhe një pjesë e tyre, të pranishëm në ditën e përurimit të librit, kanë folur me konsideratë të lartë për punën shumë serioze dhe mënyrën e sistemimit të fakteve dhe shkrimeve poetike.