Tri javë pas ndryshimit të drejtorit të Policisë së Qarkut Durrës, ndryshojnë të gjithë drejtuesit kryesorë të strukturave të rendit në qytetin bregdetar. Me vendim të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, janë ndryshuar 80% e zv/drejtorëve për rendin dhe krimet në të gjithë vendin. Njëkohësisht ndryshime priten edhe në strukturat e larta drejtuese të Policisë së Shtetit.
Këto ndryshime janë të dytat brenda 3 javësh dhe realizohen në kuadër të përfundimit të procedurave për ngritjen në gradë. Në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës është emëruar zv/drejtor për sigurinë publike Krenar Ahmeti, i cili deri tani ka mbajtur detyrën e shefit të njësisë së autostradave.
Emri i Ahmetit u lakua dy javë më parë në media, pasi ai pranoi propozimin e regjizorit të njohur Petri Bozo për të drejtuar spektaklin “Miss Globe 2012”. Deri në fundjavë postin në të cilin është caktuar Ahmeti e mbante Isuf Vllasi. Në të njëjtën kohë ndryshime ka pasur edhe në pozicionin e zv/drejtorit për hetimin e krimeve. Në vend të Ilir Dodës është emëruar Artan Hasani.
Ndërkohë, shefi i policisë kufitare në portin e Durrësit, Arben Hajdarmataj është ngritur në detyrë duke u emëruar Drejtor i Policisë së Qarkut Lezhë. Në vend të tij është emëruar Nuri Locaj. Tre javë më parë u ndryshua Drejtori i Policisë së Qarkut Durrës.
Në vend të Aleks Hajdarit, që u emërua Drejtor i Policisë së Qarkut Shkodër, erdhi Emri Vata, që më parë mbante të njëjtin post në qarkun e Elbasanit. Emërimi në detyrë i Vatës erdhi shumë pak ditë pas vrasjes së bujshme të kryekomisarit të Shijakut Adem Tahiraj.