Obama kërkon të rrisë taksat për më të pasurit. Romney nga ana e tij synon të bëjë realitet lehtësirat fiskale, duke ndjekur kështu politikën e George W. Bush. Gjithsesi e përditshmja Neë York Times thotë se sido që të shkojë taksat do të rriten vitin e ardhshëm. Presidenti mbështet reformën shëndetësore, të cilën republikanët duan ta shfuqizojnë; ai mbështet abortin dhe martesat e homoseksualëve, ndërkohë që konservatorët janë kundër. Këto janë vetëm disa nga diferencat që vihen re ndërsa njihesh me platformat elektorale të prezantuara në dy konventat, në Tampa (ajo e republikanëve) dhe në Charlotte (ajo e demokratëve).

Taksat dhe shëndetësia

Obama propozon më shumë taksa për të pasurit sipas planit Buffett Rule, të prezantuar në 2011. Në të njëjtën kohë ai mbështet reformën shëndetësore, e cila duhet të jetë për të gjithë dhe të gjithë mund t’ia lejojnë vetes. Ai është shprehur kundër shkurtimeve për Medicare dhe Medicaid, programet e asistencës për të moshuarit mbi 65 vjeç dhe të varfërit. 

Romney kërkon të pakësojë taksat për më të pasurit dhe të bëjë zero defiçitin publik në vitin 2040. Ai premton shfuqizimin e Obamacare, reformës së propozuar nga presidenti në 2010. Kërkon privatizimin e programit Medicare, për të moshuarit, për të kursyer 5 mijë miliard dollarë.

Martesat gay, aborti, mbështetja ndaj grave

Obama mbështet barazinë gjinore, sidomos përsa i përket çështjes së pagave dhe synon të shfuqizojë ligjin federal që njeh vetëm martesat heteroseksuale. Vëmendje ndaj grave për metodat kontraceptive dhe lejim i abortit.  

Romney është kundër martesave gay dhe mban anën e Marriage Act, ligjit që mbron familjen tradicionale. Republikanët duan të anullojnë nga asistenca shëndetësore shpenzimet për kontraceptivë. Romney deklarohet prerazi kundër abortit.

Defiçiti

Për Obamën fondet publike rimëkëmben përmes një propozimi të bilancuar; shtim taksash për më të pasurit dhe lehtësira fiskale për shtresën e mesme. Ai shpreson se zgjidhja e krizës së borxhit europian do të ndihmojë ekonominë amerikane.  

Romney kërkon të shkurtojë në mënyrë radikale shpenzimet publike (-20% të PBB-së), përjashtuar këtu fondet për mbrojtjen. Nuk do të rrisë taksat për shtresën e mesme, si dhe premton lehtësi fikale për pasanikët. Është shprehur qartë kundër planit 'Buffett Rule'.

Emigracioni

Obama kërkon një reformë të gjerë për emigracionin. Demokratët i referohen 'Dream Act' që u lejon fëmijëve të emigrantëve pa dokumenta të rregullta të përfitojnë status ligjor, nëse vazhdojnë kolegjin ose futen në ushtri. Ai është shprehur kundër ligjit anti-klandestinëve të Arizonës, i bllokuar pjesërisht nga gjykata e lartë, e që lejon kontrollin e një kalimtari duke u nisur vetëm nga pamja e tij apo theksi i huaj.
Romney propozon një luftë të fortë ndaj klandestinëve duke mbrojtur kufirin me Meksikën dhe mbështet ligjin anti-klandestinë të Arizonës.

Energjia:

Obama shprehet pro 'Green economy', që parashikon më shumë taksa për kompanitë naftënxjerrëse dhe lehtësira fiskale për agjensitë që prodhojnë energji të pastër.
Romney i kushton pak rëndësi 'Green economy', duke mbështetur kompanitë naftënxjerrëse dhe ato bërthamore.

Politika e jashtme:

Obama është për një qasje shumë palëshe dhe kërkon që Amerika të ketë lidhje të ngushta me OKB-në për krizat lokale. Ai shprehet pro sanksioneve kundër Iranit, sepse po funksionojnë. Obama kritikon Izraelin për kolonitë. Vëmendje për ruajtjen e ekuilibrave në oqeanin Paqësor dhe sidomos rritjes së Kinës.

Romney, në Tampa politika e jashtme gati nuk u përfshi në debat. Republikanët mbështesin me forcë Izraelin dhe kundërshtojnë politikën e Obamës me Teheranin, duke e cilësuar shumë të dobët. Por në asamblenë e përgjithshme të OKB-së, dy javë më parë, pati një afrim mendimesh për Iranin mes Obamës dhe kryeministrit izraelit Netanyahu.